Porti i Shëngjinit, ishte një nga “dhuratat” që ish-qeveria e Shqipërisë ia kishte premtuar Kosovës pas shpalljes së pavarësisë. Që atëherë, çështja e këtij porti detar ishte temë diskutimi mes dy vendeve.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, këtë port ia kishte premtuar Kosovës për shfrytëzim, siç ishte thënë, “për nevojat e bizneseve kosovare dhe ekonomisë së përgjithshme”.
Edhe më vonë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë kërkuar që ky port të administrohet nga Kosova, por përveç deklaratave, asnjë marrëveshje zyrtare nuk ekziston.
Lorik Fejzullahu, në atë kohë Drejtor i Departamentit për Partneritet Publiko – Privat në Ministrinë e Financave, ka treguar për “Radion Evropa e Lirë” se disa herë i kanë dërguar kërkesa zyrtare Qeverisë së Shqipërisë për mundësinë e shfrytëzimit të Portit të Shëngjinit nga autoritet kosovare, por asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje zyrtare.
Për këtë çështje, thotë ai, ishte krijuar edhe një komision i veçantë. “Ne kemi dërguar letër tri-katër herë palës së Shqipërisë dhe kishim themeluar një komision për t’u marrë me negociata. Mirëpo nuk kemi marrë ndonjë përgjigje në kërkesat tona”, ka thënë Fejzullahu.
Edhe ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se në vitin 2013 ka pasur diskutim, por jo trajtim formal, zyrtar, për Portin e Durrësit apo Shëngjinit. “Së pari është diskutuar në kuadër të unifikimit të procedurave, kështu që përpjekjet aso kohe kanë qenë, jo për bartje apo administrimin fizik, por për ofrimin e mundësisë që shërbimet për mallrat që vijnë dhe kanë destinim Kosovën në Portin e Durrësit, t’u nënshtrohen procedurave të thjeshtësuara. Apo, të këtë një lloji unifikimi të procedurave që zhdoganimi të bëhet edhe atje, në mënyrë që të mos kishte nevojë të ndalet në kufi”, ka thënë Kusari-Lila.
Ndërkaq, zëvendësministri aktual i Financave në Qeverinë e Kosovës, Isni Kilja, shprehet se nuk ka ndonjë iniciativë apo kërkesë konkrete për këtë çështje nga ana e ministrisë kohëve të fundit. “Nuk ka pasur ndonjë kërkesë apo ndonjë veprim në këtë drejtim, qoftë nga pala shqiptare, qoftë nga pala e Kosovës. Unë mendoj se ato (premtimet) kanë qenë thjeshtë pjesë e fushatës dhe jo diçka konkrete që ka mund të ndodh. Mendoj se nuk mund të falet Porti, ose nuk mund të bëhet me deklarime politike. Ato janë procedura tjera, siç është privatizimi apo dhënia më koncesion apo forma tjera që zbaton shteti”, ka deklaruar Kilaj për “Radion Evropa e Lirë”.
Mbi 60 për qind e mallrave të huaja që hyjnë në Kosovë shfrytëzojnë transportin detar, konkretisht Portin e Durrësit dhe të Shengjinit në Shqipëri, thonë zyrtarë të Doganave të Kosovës.