Nga 11 janari importi i energjisë elektrike, i subvencionuar nga Qeveria me 20 milionë euro, po kryhet nga kompania private për furnizim KESCO. ATV ka siguruar një marrëveshje ndërmjet KEK-ut dhe KESCO-s, përmes së cilës ndërmarrja publike autorizon atë private të realizojë importin me paratë e ndara nga Qeveria. Kjo është bërë me rekomandim të Komitetit Teknik Emergjent që udhëhiqet nga ministrja Artane Rizvanolli, e cila më 16 Dhjetor kishte thënë se KEK do realizojë importin dhe do t’ia shesë atë kompanisë private për furnizim.
“Ne do të subvencionojmë KEK-un. KEK-u do të importojë energjinë, ndërsa do t’ia shesë KEDS-it, me atë çmimin që e ka caktuar ZRRE-ja. KEK-u do të raportojë në baza javore për shumën e shpenzuar të parave të cilat i ndajmë”.
Ndryshe nga kjo deklaratë e ministres së Ekonomisë Artane Rizvanolli, ka më shumë se dy javë që ndërmarrja publike KEK nuk është duke e bërë importin e energjisë elektrike të subvencionuar nga Qeveria me 20 milionë Euro.
Përmes një marrëveshjeje të nënshkruar më 11 Janar, të cilën e ka siguruar ATV-ja, Korporata Energjetike ka autorizuar kompaninë për furnizim me energji elektrike KESCO të tregtojë me paratë e ndara nga Qeveria.
Kjo marrëveshje që shfuqizoi ujdinë e parë përmes së cilës KEK shiste energjinë e importuar te KESCO, thirret në rekomandime të Komitetit Teknik Emergjent që udhëhiqet nga ministrja Rizvanolli.
Paragrafi i parë i nenit që përcakton fillimin dhe afatet, konfirmon se kompania private merr përgjegjësinë për sigurimin e importit të subvencionuar. Ndërsa paragrafi pasues saktëson se marrëveshja do të jetë në fuqi deri në shpenzimin e 20 milionëve të ndarë nga Qeveria.
Megjithëse KEK do menaxhojë mjetet financiare, sipas dakordimit, kjo ndërmarrje publike do të paguajë faturat që i përgatitë dhe dërgon kompania private.
“Furnizuesi me Shërbimin Universal (FSHU) – KESCO sh.a. do të bëjë tregtimin e importit të energjisë elektrike për nevojat e furnizimit të konsumatorëve të rregulluar, në baza ditore (sipas parimit të nominimeve një ditë para për ditën D-1) pas konfirmimit të nominimeve nga ana e KOSTT Sh.a.. KEK do të bëjë monitorimin dhe konfirmimin e transaksioneve të blerjeve përmes caktimit të zyrtarit të autorizuar nga KEK”.
Marrëveshja përcakton që subvencioni i Qeverisë të mbulojë koston e importit mbi çmimin e përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
“Në rastet kur çmimi i transaksionit të realizuar për import është më i lartë se 90 Euro për megavat orë, KESCO do të faturojë KEK-un për diferencën në mes të çmimit të realizuar të importit dhe çmimit të lejuar nga ZRRE-ja prej 90 Euro për megavat orë”.
KEK është i obliguar të kryejë parapagim në vlerë të shumës mesatare për dy ditë të importeve paraprake, e po ashtu ta njoftojë KESCO-n për shumën e mbetur në llogari nga subvencioni i Qeverisë.
Në KEK dhe KEDS nuk treguan arsyet e këtij ndryshimi. Arsyet nuk dha as Qeveria, ndonëse konfirmoi ndryshimet.