Loading…

KUJDES! Me ndihmën e Rusisë, Serbia po përdor kishat për destabilizimin e Kosovës

  • Nga

  • ARDIAN KASTRATI

  • 19/10/2020 | 15:44

KUJDES! Me ndihmën e Rusisë, Serbia po përdor kishat për destabilizimin e Kosovës

Historikisht, të gjitha regjimet dhe ideologjitë serbe kanë përdorur konceptin e viktimizimit për arritjen e qëllimeve politike serbe gjithandej Ballkanit. Logjika e narracionit politik e historik serb ka llogaritur gjithmonë se të qenurit “viktimë”  krijon ndjenja të mira e simpati për Serbinë, sidomos të perëndimorët. Në memorien kolektive serbe, regjimet serbe kanë ndërtuar pozitën e viktimës, duke besuar se i heqin moralisht të gjitha fajet për veprimet e mëvonshme , që nga 1389 e tutje  dhe se kjo paraqet një lloj privilegji për të ardhmen serbe. Nëse dy fshatarë serbë në kohën e Perandorisë Otomane janë vrarë për arsye banale, kisha serbe është përkujdesur që në perëndim këto t’i plasojë si vrasje të organizuara nga shqiptarët arnautë ndaj serbëve në Kosovë.


Shkruan: Ardian Kastrati

Ky narracion është ndërtuar  nga Serbia dhe kisha serbe përgjatë qindra viteve dhe si i tillë është zhvilluar edhe në kohërat moderne. Në Jugosllavinë 22 milioneshe, ku 80% e të burgosurve politikë ishin shqiptarë, shtypi dhe televizioni shtetëror serb çdo ditë paraqiste raste se si shqiptarët po i “dëbojnë” serbët nga Kosova dhe po i “dhunojnë” gratë serbe. Kujtojmë këtu rastin Martinoviç gjatë viteve 1980-ta.  Ky serb nga Gjilani me prirje homoseksuale, duke luajtur me shishen e Birrës së Pejës, për kënaqësi seksuale  lëndon veten, kurse nga pushteti dhe mediet në Beograd rasti paraqitet si dhunim nga shqiptarët, gjë të cilën, më vonë e demanton ekspertiza mjekësore. Edhe më brutal është rasti “Panda” gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku regjimi i  Miloseviçit vrau të rinjtë serbë për ta akuzuar UÇK-në dhe për t’i paraqitur shqiptarët si xhelatë e të pa shpirtë.

E njëjta po ndodh edhe sot. Që nga muaji shkurt, Serbia ka intensifikuar propagandën përmes raportimit të rasteve të “dhunës” së shqiptarëve ndaj serbëve në Kosovë. Gjatë pandemisë, të pa vërejtura nga politikanët tanë, organizatat jo qeveritare serbe në Kosovë u organizuan në një platformë të quajtur “Empirika”, ku raportuan në Bruksel për kinse rastet e përditshme të “dhunës” së shqiptarëve ndaj serbëve. Ky është i njëjti narracion i përdorur gjate viteve 1980-ta nga Serbia për shqiptarët e Kosovës. Kjo i kaloi nëpër hundë skenës sonë politike, sepse ata ishin dhe janë të zënë në betejën e tyre të pa kompromis për pushtet. Në këtë frymë, Vućici para ca javëve deklaroi se po përgatitet Marsi i 2004-tës për 95.000 serbët e mbetur në Kosovë. Shteti serb, pra po shfrytëzon polarizimin e skajshëm të skenës sonë politike, rrethanat me Gjykatën Speciale dhe procesin e dialogut për ta destabilizuar shtetin e Kosovës. Prandaj , jo rastësisht mediumi rus në Serbi, “Sputnik Srbija”, filloi propagandimin në frymën e deklaratës se Vućicit. Pikërisht, në këtë frymë ishte edhe rasti i “tentim- kidnapimit” të fëmiut serb në Plemetin. Pra, ishte një inskenim i pastër që u dokumentua edhe nga deklarata e femiut serb si dhe  nga raporti i policisë. Afërsisht i njëjtë ishte  edhe rasti i “gjuajtjes me armë” ndaj  fëmijëve serbë në Bernicë.

Në një nga paraqitjet e mia mediale, se fundmi, kam hedhur dyshimet  e bazuara si më lart se këto janë inskenime dhe kampanja dezinformuese e propaganduese të shtetit serb në Kosovë me qëllim të destabilizimit të shtetit të Kosovës, sidomos para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit më 21 tetor, ku do të diskutohet për Kosovën dhe kam paralajmëruar se, raste të tilla do të vazhdojnë të ndodhin deri më 21 tetor si dhe pas 21 tetorit. Ashtu edhe ndodhi. Portali serb në Kosovë “Kosovoonline”, çdo ditë vazhdon të raportojë për “sulmet fizike” ndaj serbëve.

Së fundmi, shteti serb me ndihmën e  kishës serbe dhe Rusisë e cila e ndikon tejmase këtë të fundit, viktimizimit të tyre vendosen ti japin edhe një “nuancë patriotizmi pa shije”. Një klerik nga rrethi i Beogradit me heqjen e flamurit kombëtar në Koshare u mundua ta luaj rolin e “patriotit”. Veprimit të tij provokues ia bashkangjiti edhe një narracion përrallor që vetëm ata e besojnë, e pastaj e demantoj vetveten dhe komplet fushatën paraprake të organizuar prej shtetit të tij. Ai tha se shqiptarët më gjuajtën me gurë, ndërsa tregoi se si ka ecur me kilometra të tëra për të realizuar misionin e tij. Po ta kishin gjuajtur shqiptarët me gurë, vështirë që do t’i bënte disa metra rrugëtim. Kjo, poashtu, tregon edhe një fakt tjetër, që jo vetëm serbët në Kosovë kanë lëvizje të lirë, por edhe serbët nga Serbia, p.sh.: si çifti i këtij kleriku, mund të vijnë në Kosovë duke udhëtuar mespërmes saj dhe pastaj mund të ecin këmbë nëpër male deri në Koshare pa u kërcënuar nga askush duke e keqpërdorë kështu këtë liri me provokim, e që është ushqim shpirtëror i tyre. Ata  e keqpërdorin faktin që Kosova nuk është Serbi, vend në të cilin minoritetet e posaçërisht shqiptarët, se kanë asnjë të drejtë themelore se lëre më shumë.

Është e qartë, pra se shteti serb siç ka bërë historikisht, po i futë në lojë klerikët dhe kishën serbe të cilët të ndikuar edhe nga Rusia po i provokojnë shqiptarët, pra që të reagojnë dhe pikërisht, për këtë arsye edhe kësaj radhe ata provokuan aty, ku secili shqiptar mund të reagojë,  pra në flamurin kombëtar shqiptar. Ne duhet të bëjmë të kundërtën. Nuk duhet të reagojmë me kundërveprime gjaknxehta. Serbia po e dëshiron pikërisht atë lloj të reagimit tonë në mënyrë që, pastaj ta paraqesë vetën si viktimë para Perëndimit. Në këtë rrafsh, është po ashtu shumë e rëndësishme se si mediet tona do t’i raportojnë rastet e tilla “të dhunës” ndaj serbëve, raste këto të orkestruara nga shteti serb dhe nga kisha serbe e të ndihmuara nga Rusia. Para se të publikohen të tilla raste, të raportuara fillimisht në mediet serbe, duhet të analizohen detajisht, të verifikohen informacionet dhe të referohen raportet e institucioneve të sigurisë së Kosovës. Pra, Serbia po kërkon viktimizimin, sepse beson se kjo është politikisht fitimprurëse, sepse për shtetin serb dhe kishën serbe të qenurit “viktimë” paraqet një avantazh të pastër mbi të cilin ata mund të organizojnë mobilizimin politik dhe  homogjenizimin e tyre duke rritur frikën kolektive dhe ankthin te serbët në Kosovë, si forca lëvizëse të rëndësishme për luftërat e tyre të së ardhmes.

Për fund, kjo në asnjë rast nuk d.m.th që për ne ka vend për panikë, sepse kemi institucione të sigurisë. Mirëpo, çështja është që ne vetëm duhet të kemi kujdes të shtuar, që inskenime të tilla, shpesh joprofesionale, të mos na kalojnë nëpër hundë pa i vërejtur. Thënë me një fjalë popullore: “Armiku më i rrezikshëm është ai që harrohet”. KUJDES !- kjo është kisha serbe me aleatin e saj Rusinë, kjo është Serbia e Martinovićit dhe e Pandës.

(Autori është politolog dhe profesor në Departamentin e Shkencave Politike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës)

 

 

.

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë