Nga të dhënat e Drejtorisë për të ardhura publike (DAP) mund të shihet se shumë qytetarë punojnë dhe fitojnë të ardhura nga puna në internet, madje disa prej tyre fitojnë shuma marramendëse dhe paguajnë tatim prej 10% ndaj shtetit.
Sipas DAP-it, rekordin e mban një kumanovar i cili gjatë vitit 2015 ka fituar 1.26 milionë euro nga puna në internet dhe ka paguar tatim prej 126 mijë euro. Një tjetër kumanovar e mban vendin e dytë me fitim prej 103 mijë euro dhe ka paguar tatim përkatësisht 10 300 euro. Nga DAP thonë se nuk j’u intereson se çka punojnë këta qytetarë përderisa i paguajnë tatimet në rregull, raporton Zhuarnal.
Në të kundërt, nëse nuk paguhet tatimi i të ardhurave nga DAP kërcënojnë me padi deri te organet kompetente. Sipas DAP-it çdo e ardhur shtesë nga puna në internet duhet të shkruhet në fletëparaqitjen vjetore deri te kjo drejtori dhe për ato të paguhen 10% tatim. Nga DAP thonë se vazhdimisht bëhen kontrolla të transakcioneve financiare të personave fizik dhe nëse vërtetohet mospagimi i tatimit ligji parashikon gjoba.