Deklaratat e fundit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi janë një dëshpërim i ri për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Jo sepse presim mrekulli nga një qeveri që prej kohësh ka humbur busullën kombëtare, por sepse shohim qartë se sa thellë është ngulitur frika për të folur për të drejtat e shqiptarëve jashtë kufijve administrativë të Kosovës.
Shkruan: Rinor Krasniqi, Ish-Sekretar i Këshillit Kombëtar Shqiptar
Qeveria Kurti nuk po punon në idenë e bashkimit të shqiptarëve. Përkundrazi, po e shkatërron çdo ndjenjë shprese që ka mbetur në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Duke mos ngritur zërin për Luginën, duke e shmangur çdo përpjekje për reciprocitet me veriun e Kosovës, ajo në heshtje po i ndihmon Serbisë për shpopullimin e shqiptarëve nga trojet e tyre.
Sot, Lugina është më e braktisur se kurrë. Nuk ka strategji kombëtare për të ndalur shpërnguljen, e as ndihmat ekonomike nuk mjaftojnë, kur në thelb mungon vullneti politik për ta zgjidhur çështjen. Sepse nuk mund të flitet për zhvillim e përkrahje, ndërkohë që kundërshtohet çdo ide për shkëmbim territoresh, ku disa male të veriut mund të këmbeheshin me Luginën e Preshevës, tokë autoktone shqiptare që meriton të jetë nën shpatullat e Kosovës. Ky refuzim nuk ishte qëndrim parimor, por frikë politike dhe populizëm i zhveshur nga çdo ndjenjë kombëtare.
Z. Beslimi dhe kabineti i tij duhet ta dinë, heshtja nuk është neutralitet, është qëndrim. Mosveprimi për Luginën është ndihmë direkte për politikën e Beogradit. Nëse vazhdohet kështu, shqiptarët e Luginës nuk do të kenë as të ardhme politike, as demografike, përveç karriges së Shaip Kamberit, që do të institucionalizohet në Serbi deri në pension, ndërsa populli që përfaqëson, do të jetë larguar.
Qeveria Kurti mund të flasë për sovranitet e dinjitet, por derisa nuk punon për bashkimin kombëtar dhe nuk e trajton Luginën si pjesë të pandashme të kombit, çdo fjalë për “barazi” mbetet thjesht retorikë populiste. Është koha që Kosova të mos e shohë më Luginën si një “temë ndjeshme”, por si detyrim kombëtar e moral. Sepse çdo ditë që heshtet, një familje më pak mbetet në Preshevë, një shkollë mbyllet dhe një fshat tjetër shkon drejt boshatisjes.