Ish-trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, gjatë një interviste ka folur rreth mundësisë së rikthimit të tij në menaxhimin e ndonjë ekipi, ndërsa ka shpjeguar edhe pse nuk kishte qenë në gjendje të marrë në konsideratë drejtimin e Manchester United, transmeton Gazeta Metro.
Zidane për mediumin francez, L’Equipe, ka thënë se tani është më vështirë se kur ishte lojtar të merr një drejtim në klub, pasi që në atë kohë mund të zgjidhte kurse tani ka vetëm dy ose tre mundësi.
”Kurrë mos thuaj kurrë, sidomos kur je trajner në ditët e sotme. Kur isha lojtar, mund të zgjidhja pothuajse çdo klub. Si trajner, nuk ka 50 klube ku mund të shkoj. Ka dy ose tre mundësi,” tha ai.
Më tutje ish-mesfushori francez foli edhe rreth pengesave të tij për të marrë drejtimin e Manchester United, ku beson se nuk kishte mundur të përshtatet në Angli edhe për shkak të gjuhës.
”Disa kushte i bëjnë gjërat më të vështira, gjuha për shembull. Kur njerëzit më thonë ‘A dëshiron të shkosh në Manchester?’ Unë e kuptoj anglishten, por nuk e zotëroj plotësisht. E di që ka trajnerë që shkojnë në klube pa e folur gjuhën, por unë punoj ndryshe,” deklaroi Zidane.
Legjenda e futbollit me Real Madrid kishte fituar pothuajse të gjitha titujt e mundshëm dy herë La Ligën, dy herë Superkupën e Spanjës, tre herë Ligën e Kampionëve, dy herë Superkupën e Europës dhe dy herë Botërorin e Klubeve. /gazetametro.net