Loading…

Kurti: Çdo iniciativë që synon të zëvendësojë integrimin në BE është devijim nga reformat demokratike

  • 02/12/2021 | 23:56

Kurti: Çdo iniciativë që synon të zëvendësojë integrimin në BE është devijim nga reformat demokratike

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, foli sot para studentëve të SEESOX në Universitetin e Oksfordit, dhe pjesëmarrësve të tjerë të këtij diskutimi virtual.


Krahas kryeministrit Kurti, të ftuar në diskutimin me temën “Ballkani i Hapur dhe/ose integrimi evropian: Një përgjigje apo një devijm?”, ishin edhe Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryenegociatori i Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Zef Mazi dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. Diskutimi u drejtua nga z. Othon Anastasakis nga Kolegji St Antony i Oksfordit dhe znj. Belina Budini nga Universiteti Europian i Tiranës.

Duke folur për fitoren bindëse të muajit shkurt, kryeministri veçoi dy premtimet kryesore: punë dhe drejtësi.

Ne treguam se kur ke një lëvizje që promovon demokracinë, barazinë, zhvillimin dhe drejtësinë sociale, njerëz të zakonshëm me ëndrra të përbashkëta mund të bashkohen dhe ta ndryshojnë fatin e vendit, tha ai.

Kryeministri Kurti ritheksoi mbështetjen e plotë për bashkëpunimin rajonal brenda agjendës dhe ombrellës së Bashkimit Evropian, ndërsa theksoi se duhet qenë edhe të kujdesshëm.

Ne mbështesim plotësisht bashkëpunimin rajonal dhe e dimë se të gjithë fitojmë kur heqim barrierat ndaj tregtisë dhe heqim kufizimet për të udhëtuar, për të punuar dhe për të bërë biznes. Por çdo nismë duhet të jetë brenda agjendës dhe ombrellës së BE-së, të funksionojë brenda rregullave të BE-së dhe të na sjellë më pranë anëtarësimit në BE, e jo më larg tij, tha ai.

Procesin e Berlinit ai e veçoi si kornizën e vetme gjithëpërfshirëse në të cilën ka shumë iniciativa, duke përfshirë iniciativën për Tregun e Përbashkët Rajonal. Ai përsëriti mbështetjen për Procesin e Berlinit si një platformë ku të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë dhe si një proces plotësues i integrimit në BE, jo si alternativë ose zëvendësim për të.

Në këtë drejtim, ne kemi propozuar themelimin e një bashkëpunimi të ri rajonal të quajtur Marrëveshja e Evropës Juglindore për Tregti të Lirë – SEFTA. Propozimi ynë synon ta forcojë Tregun e Përbashkët Rajonal duke hequr pengesat dhe mosmarrëveshjet në terminologji që pengojnë progresin dhe duke futur institucione të pavarura të cilat mund t’i zgjidhin në mënyrë të paanshme dhe profesionale mosmarrëveshjet ndërmjet palëve, tha kryeministri Kurti.

Duhet të ketë një angazhim të rinovuar drejt anëtarësimit në BE për rajonin me një synim të qartë që vë në lëvizje reformat. SEFTA është kontributi ynë modest, por edhe shumë konkret në këtë drejtim.

Duke folur për Tregun e Përbashkët Rajonal, që iu dha mbështetja vitin e kaluar në Samitin e Sofjes, ritheksoi mbështetjen e plotë të Qeverisë për të dhe synimin e zbatimit të katër lirive të BE-së: njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve.

Çdo iniciativë tjetër që synon ta replikojë Tregun e Përbashkët Rajonal ose ta zëvendësojë integrimin në BE nuk është vetëm e tepërt, por edhe me qëllim të keq dhe sigurisht, një devijim nga reformat e vërteta demokratike dhe integrimi në BE; që krijon hapësirë dhe mundësi për akterët keqdashës, tha kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministri Kurti në diskutimin virtual në SEESOX në Universitetin e Oksfordit:

Faleminderit, Kryesues z. Othon Anastasakis nga Kolegji St Antony i Oksfordit dhe znj. Belina Budini nga Universiteti Europian i Tiranës dhe përshëndetje pjesëmarrësve –

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazovic,

Kryenegociatori i Shqipërisë me Bashkimin Europian, Zef Mazi dhe

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Është kënaqësi të jem këtu sot me ju dhe të flasim për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin në BE.

Do të doja të filloja me disa fakte pozitive, të cilat besoj se lidhen në thelb si me temën e diskutimit tonë ashtu edhe me qasjen e qeverisë sonë ndaj saj.

Në këto 8 muaj, kemi pasur shumë zhvillime pozitive, të cilat në masë të madhe përcaktojnë karakterin e qeverisë sonë. Ne arritëm një fitore bindëse këtë shkurt me dy premtime kryesore: Punë dhe Drejtësi. Ne kishim ide të qarta dhe kandidatë të pastër me të cilët qytetarët mund të lidheshin dhe të ju besonin. Ne garuam kundër atyre që ishin në pushtet për dekada dhe përdorën administratën publike, institucionet shtetërore dhe paratë e korruptuara për të ndikuar tek votuesit.

Ne treguam se kur ke një lëvizje që promovon demokracinë, barazinë, zhvillimin dhe drejtësinë sociale, njerëz të zakonshëm me ëndrra të përbashkëta mund të bashkohen dhe ta ndryshojnë fatin e vendit. Dhe ne filluam ta zbatojmë këtë vizion menjëherë pas zgjedhjeve:

· Së pari, ne zgjodhëm një kabinet qeveritar me ministra të arsimuar dhe të virtytshëm, pa asnjë lidhje me krimin dhe korrupsionin.

· Së dyti, e riparuam ekonominë tonë duke mbyllur boshllëqet dhe duke stabilizuar thesarin, i cili derdhte para nga taksat kudo në dogana, ndërmarrje publike, tenderë publikë, licenca publike dhe gjithashtu evazioni fiskal për shkak të korrupsionit.

· Pastaj, ekonomia jonë iu përgjigj pozitivisht këtyre ndryshimeve demokratike dhe pas një tkurrjeje prej 3.1% në vitin 2020, siç raportohet nga Banka Botërore, tani po përjetojmë një rritje të jashtëzakonshme ekonomike. Eksportet tona janë rritur për 66%, të hyrat tona janë rritur për 30% dhe kemi shtuar afro 10.000 vende të reja pune në ekonomi.

· Po ashtu jemi në krye të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor me mesataren më të lartë të qytetarëve të vaksinuar; mbi 1.6 milionë doza të administruara dhe me rastet e reja më të ulëta të COVID-19.

· Kemi garantuar arsim falas në të gjitha nivelet, përfshirë universitetet publike, dhe kemi nisur programe të reja sociale për t’i ndihmuar nënat e reja, foshnjat e porsalindura dhe fëmijët, duke u dhënë atyre shtesa mujore dhe, në përputhje me rritjen ekonomike dhe produktivitetin tonë, në të ardhmen do ta rrisim në mënyrë progresive pagën minimale.

Ky është projekti ynë. Ne besojmë në demokraci dhe mundësitë që ajo i sjell për njerëzit. Për më tepër, unë besoj në demokracinë sociale dhe si socialdemokrat ne e dimë se nuk mjafton që vetëm disa prej nesh të përparojnë, por duhet t’i hapim dyert e mundësive për të gjithë.

Me këto parime dhe vlera ne i afrohemi edhe bashkëpunimit dhe integrimit rajonal.

Unë shpesh them se ajo që i duhet rajonit është:

· sundimi i ligjit për ta luftuar korrupsionin,

· përballja me të kaluarën për ta mundësuar pajtimin,

· demokracia funksionale për t’i luftuar autokratët, dhe

· mbrojtja dhe ngjasimi i të drejtave të pakicave përgjatë kufijve të Ballkanit Perëndimor Gjashtë.

Siç mund ta keni vërejtur, autokratët janë në rritje dhe teksa ata rriten, ata heshtin opozitën dhe gazetarinë e pavarur, shtypin disidencën, censurojnë rrjedhën e informacionit, shtypin lirinë e mendimit, shkatërrojnë gjyqësorin e pavarur, privatizojnë burimet ekonomike dhe fusin urrejtje dhe frikë brenda shoqërisë dhe midis kombeve.

Nëse keni lexuar raportet e fundit për rajonin, mund ta kuptoni pse është më e lehtë për disa që ta fajësojnë BE-në, pasi që ata duan anëtarësim në BE pa reforma dhe demokratizim. Pra në thelb ata i duan fondet e BE-së, por pa vlerat e BE-së.

Jam i sigurt se ka shumë arsye për t’u ankuar për BE-në dhe për t’i kritikuar ata për mungesën e unitetit të tyre në vendimmarrje, por ne nuk mund ta përballojmë që t’ia kthejmë shpinën BE-së dhe projektit të BE-së. Në fund të fundit, ne i zbatojmë reformat tona jo vetëm për anëtarësim në BE, por sepse qytetarët tanë i kërkojnë ato. Në qeverinë tonë, ne nuk angazhohemi për demokracinë dhe sundimin e ligjit që BE-ja të jetë e kënaqur, por sepse të tillë jemi, ne besojmë në demokraci dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë një shoqëri të fortë demokratike dhe të hapur, qoftë nëse BE-ja mund të marrë vendime për ta çuar përpara statusin tonë të anëtarësimit apo jo.

Në lidhje me bashkëpunimin rajonal duhet të jemi aktiv por edhe të kujdesshëm. Ne mbështesim plotësisht bashkëpunimin rajonal dhe e dimë se të gjithë fitojmë kur heqim barrierat ndaj tregtisë dhe heqim kufizimet për të udhëtuar, për të punuar dhe për të bërë biznes. Por, çdo nismë duhet të jetë brenda agjendës dhe ombrellës së BE-së, të funksionojë brenda rregullave të BE-së dhe të na sjellë më pranë anëtarësimit në BE, e jo më larg tij.

Për këtë qëllim, ne e mbajmë Procesin e Berlinit si kornizën e vetme gjithëpërfshirëse në të cilën ka shumë iniciativa, duke përfshirë iniciativën për Tregun e Përbashkët Rajonal (TPR). Ne e kemi mbështetur vazhdimisht Procesin e Berlinit dhe vazhdojmë ta mbështesim si një platformë ku të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë dhe si një proces plotësues i integrimit në BE, jo si alternativë ose zëvendësim për të.

Në këtë drejtim, ne kemi propozuar themelimin e një bashkëpunimi të ri rajonal të quajtur Marrëveshja e Evropës Juglindore për Tregti të Lirë – SEFTA. Propozimi ynë synon ta forcojë TPR duke hequr pengesat dhe mosmarrëveshjet në terminologji që pengojnë progresin dhe duke futur institucione të pavarura të cilat mund t’i zgjidhin në mënyrë të paanshme dhe profesionale mosmarrëveshjet ndërmjet palëve.

Duhet të ketë një angazhim të rinovuar drejt anëtarësimit në BE për rajonin me një synim të qartë që vë në lëvizje reformat. SEFTA është kontributi ynë modest, por edhe shumë konkret në këtë drejtim.

Kështu që unë mendoj se është mjaft e qartë pse ne nuk mbështesim iniciativa të tjera jashtë Procesit të Berlinit dhe jashtë agjendës së BE-së. BE është projekti politik më i rëndësishëm i paqes dhe prosperitetit dhe procesi i veçantë historik që nga Lufta e Dytë Botërore. Prandaj, në procesin e Berlinit, iniciativat miratohen në takimet vjetore nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor Gjashtë dhe pjesëmarrësit e tjerë. TPR-së iu dha mbështetja vitin e kaluar në Samitin e Sofjes dhe ne e mbështesim plotësisht TPR-në që synon t’i zbatojë katër liritë e BE-së: personat, mallrat, kapitalin dhe shërbimet. Si e tillë, është e hapur si për vendet e Ballkanit Perëndimor Gjashtë ashtu edhe për BE-në. Çdo iniciativë tjetër që synon ta replikojë TPR-në ose ta zëvendësojë integrimin në BE nuk është vetëm e tepërt, por edhe me qëllim të keq dhe sigurisht, një devijim nga reformat e vërteta demokratike dhe integrimi në BE; që krijon hapësirë dhe mundësi për akterët keqdashës.

Për këtë arsye ne jemi plotësisht të përkushtuar për integrimin në BE. Jemi të përkushtuar ndaj Procesit të Berlinit dhe TPR-së të cilat janë në linjë me integrimin Evropian. Ne kemi dhënë propozimin tonë, SEFTA i cili është i bazuar në modelin EFTA-EEA ashtu që batica të ngris të gjitha barkat e Ballkanit Perëndimor Gjashtë dhe të mundësoj anëtarësimin tonë në BE brenda përafërsisht një dekade dhe në këtë mënyrë që të mundësojmë BE-në të bëhet Evropë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë