As pas 3 orësh takimi, Albin Kurti e Lumir Abdixhiku nuk arritën që të lidhin bashkëpunim për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit, shkruan Gazeta Metro.
Kurti, pas takimit me Lumir Abdixhikun, Lutfi Hazirin e Vjosa Osmanin, tha se gjatë takimit janë diskutuar mundësitë që janë përpara dhe nevoja për një marrëveshje që, sipas tij, duhet të respektojë rezultatin e zgjedhjeve dhe ta shndërrojë atë në stabilitet institucional. “Marrëveshje politike nuk kemi, diskutuam për qasje të ndryshme, për mundësi që i kemi përpara, kemi nevojë për një marrëveshje politike, e cila e respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron rezultatin zgjedhor edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe për funksionim të Republikës së Kosovës, në mënyrë demokratike”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë nuk e la pa “kërcënuar” për zgjedhje të reja.
“Askush nuk i do zgjedhjet e reja, mirëpo nëse nuk do të kemi marrëveshje, nëse nuk do të kemi hapa përpara, përkundër mosdëshirës që të shkojmë në zgjedhje të reja, fatkeqësisht ato mund të shkaktohen. Do të përpiqemi maksimalisht, do të vazhdojmë komunikimin dhe takimet”, deklaroi ai.
E Lumir Abdixhiku deklaroi se LDK nuk e do postin e kryeparlamentarit, këtë që e quajti ceremonial.
“Me vullnet të mirë, me respektim të plotë edhe të rezultatit zgjedhor, por edhe të gatishmërisë sonë si LDK që me çdo kusht t’i shmangim zgjedhjet e reja, besoj se kështu e respektojmë edhe interesin e Republikës. Ishte një takim i mirë, i mbarë, ku diskutuam çështje të ndryshme programore, politike, të ardhshme e strategjike. Do të përpiqemi që në ditët në vazhdim të diskutojmë sërish. Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të ketë balancë demokratike brenda institucioneve të Republikës, dhe në këtë balancë demokratike LDK duhet të ndihet e përfaqësuar; në të kundërtën edhe kontributi i LDK-së dhe konstelacioni politik i ndërtuar s’do të ketë as forcën e as fuqinë e nevojshme. Do t’i vazhdojmë takimet me po kaq vullnet të mirë; nëse s’bëjmë asgjë, zgjedhjet e reja janë të pashmangshme”.
“Nëse LDK arrin partneritet me palën tjetër, të ndihet e përfaqësuar. Nuk kemi folur për emra konkretë, ende jemi duke diskutuar për parimet. Nëse deri më 6 gusht nuk ndodh asgjë, kemi kërkuar të vazhdohet tutje me konstituimin e Kuvendit. LDK s’e ka asnjë apetit për kryetarin e Kuvendit, është post ceremonial. Sa më herët, më mirë nëse bëjmë zgjidhje”, deklaroi Abdixhiku.
Bedri Hamza i PDK-së dhe Ardian Gjini i Aleancës paraprakisht nuk deshën fare të takoheshin me Kurtin, pasi që thanë se do të mbesin në opozitë, ndërsa Aleanca ia ka vendosur Kurtit 6 kushte që duhet t’i plotësojë për të pasur përkrahjen e tyre, ndonëse nuk duan pozita në qeveri.
Se a do të kemi sërish zgjedhje të reja nuk dihet akoma, megjithatë kjo mbetet të shihet edhe më 6 gusht, kur është data për konstituimin e Kuvendit.
Ndërkaq, vetëm pasi të konstituohet Kuvendi fillon procesi i rrjedhjes së afateve për zgjedhjen e Qeverisë dhe Presidentit, që do të thotë se 5 tetori është dita e 60-të dhe, rrjedhimisht, dita e fundit për zgjedhjen e Presidentit.
“Në anën tjetër, më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës së Presidentit. Nëse procedura e zgjedhjes së Presidentit shkon deri në ditën e 60-të, pra më 5 tetor, dhe eventualisht dështon, atëherë Kuvendi do të shpërndahet pasi që periudha e ushtrimit të detyrës së Presidentit tashmë të ketë përfunduar. Kjo do të thotë se mund të mbetemi njëkohësisht pa Kuvend dhe pa ushtrues detyre të Presidentit, që është i vetmi funksion me mandat kushtetues për ta formalizuar shpërndarjen e Kuvendit, për ta caktuar datën e zgjedhjeve të reja dhe, pas tyre, për ta propozuar mandatarin për Kryeministër”, ka shkruar Eugen Cakolli nga KDI.
Cakolli ka vlerësuar se zgjidhja e vetme është zgjedhja e Presidentit të ri brenda afatit kushtetues, më së voni deri më 4 tetor.
Sipas tij, një dështim eventual i partive politike për ta zgjedhur Presidentin nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si arsyetim për tejkalimin e kufirit kushtetues të ushtrimit të detyrës, e aq më pak për të krijuar një mandat të ri gjashtëmujor për secilin kryetar të ri të Kuvendit që do ta ushtronte këtë funksion.
Partia në pushtet, LVV-ja e Kurtit, sipas rezultatit të certifikuar, i ka fituar 53 mandate. PDK i ka fituar 22 ulëse, LDK 18 ulëse dhe Aleanca shtatë ulëse. Për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re nevojiten 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh. /gazetametro.net/