Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka bërë një deklaratë të çuditshme duke hedhur fajin tek opozita për rritje ne çmimeve, i cili ka përmendur Ligji për çmimet tavan të produkteve bazë që LDK e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e për këtë ka folur për Gazetën Metro, deputeti i LDK’së dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili tha se inflacioni i çmimeve nuk luftohet me ligje, shkruan Gazeta Metro.
Kryeministri Albin Kurti, është pyetur për rritjen e çmimeve dhe inflacionit. Kurti ka tentuar ta hedhë fajin tek partitë opozitare.
Ai tha se në Gjykatën Kushtetuese, po pret të trajtohet Ligji për çmimet tavan të produkteve bazë. Dhe sipas tij kjo po ndikon në ngritjen e çmimeve të këtyre produkteve.
“Po ta kishim Ligjin për tavanin e çmimeve, që nuk çohet në Gjykatën Kushtetuese siç ndodhi, sot nuk do t’i kishim këto çmime të larta. Tash le ta vlerësojmë edhe këtë aspekt. Unë vetëm po dua të them që le të jetë aspekti normativ, por edhe ai i dobisë”, ka thënë Kurti.
E për këtë deklaratë të Kurtit ka folur Hoti për Gazetën Metro, i cili ka thënë se me parulla e nuk përmirësohet gjendja ekonomike dhe sociale.
Ai theksoi se po të rregullohej me ligje inflacioni, atëherë do e kishin bërë vendet e BE’së.
“Inflacioni i çmimeve nuk luftohet me ligje. Me parulla e mashtrime nuk përmirësohet gjendja ekonomike dhe sociale. Po te jetë që inflacioni të luftohej me ligje, atëherë do e kishin bërë vendet e BE-së. Nuk besoj se atyre nuk iu ka kujtuar kjo gjë. Ky ka dështuar në çdo aspekt. Tani thotë se ia paska fajin opozita! Në dy vite qeverisje e ka degraduar situatën”, tha Hoti./gazetametro.net