Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ka qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë dhe gjatë këtij takimi ka takuar krerët kryesorë të institucioneve të cilët ia kanë kërkuar njohjen e Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Kosova tash e sa kohë vuan nga mungesa e njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës dhe në opinion kjo vlerësohet si mungesë e kreativitetit dhe fuqisë diplomatike të Kosovës, derisa krerët e institucioneve kosovare kanë zgjedhur që të kërkojnë njohje nga shteti grek në vizitën e kryediplomatit Dendias në Kosovë, pa marrë mundin që ta vizitojnë Greqinë për të bërë një kërkesë të tillë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në takimin e tij me Dendias ka kërkuar nga ky i fundit njohjen e Kosovës nga Greqia por në këmbim ka marrë vetëm premtimin për përkrahjen e Kosovës në liberalizimin e vizave.
“Kryeministri Kurti e njoftoi se takimi në Bruksel do të jetë për dialogun e ardhshëm që duhet të jetë parimor, e ku Kosova do të trajtohet palë e barabartë. Ai përsëriti kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti helen dhe theksoi rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Ministri i Jashtëm Dendias tha se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave dhe se do të përkrahë e ta ndihmojë Kosovën në rrugën europiane dhe euro-atlantike”, thuhet në komunikatën e Zyrës për media të Kryeministrit.
Kurti i kërkon ministrit grek njohjen e Kosovës, s’merr sinjale pozitive
Njëlloj me Dendias ka vepruar edhe presidentja Osmani. Në njoftimin për media të Presidencës thuhet se Osmani i ka theksuar Dendias marrëdhëniet e mira midis dy vendeve dhe ka potencuar se njohja e Kosovës nga Greqia do t’i thellojë edhe më tej marrëdhëniet bilaterale e multilaterale midis dy vendeve.
Poashtu në njoftim thuhet se Osmani ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në mekanizmat e euro-atlantik të sigurisë si dhe nevojën për rritjen e shkëmbimit tregtar e ekonomik, si dhe bashkëpunimin në sferën e turizmit e kulturës.
Ndërkaq ministri Dendias i ka dhënë mbështetje Kosovës në rrugën evropiane, sikurse edhe në procesin e liberalizimit të vizave. /gazetametro.net
Presidentja Osmani ia kërkon njohjen shefit të diplomacisë helene