Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi se do të takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të samitit të liderëve të Bashkimit Evropian me udhëheqësit politikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili po mbahet sot në Brdo pranë Kranj, transmeton Gazeta Metro.
Kurti u tha gazetarëve se do të takohej me Vuçiqin gjatë pushimit të dy sesioneve të samitit dhe se në takim do të merrte pjesë kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emanuel Macron.
“Serbia nuk e njeh Kosovën, Kosova nuk e njeh Serbinë, dhe ne kemi nevojë për një marrëveshje”, tha kryeministri Kurti para gazetarëve.
Kurti përmendi faktin se janë bërë më shumë se 3 vite prej kur Komisioni Evropian ka rekomanduar për herë të dytë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, dhe kjo sipas tij ka qenë një padrejtësi e madhe pasi nuk ka ndodhur deri tani.
‘’ Kanë kaluar më shumë se 3 vite prej kur Komisioni Evropian ka rekomanduar për herë të dytë liberalizimin e vizave për Kosovën dhe ka qenë një padrejtësi e madhe mungesa e drejtësisë për qytetarët tanë që kanë vuajtur shumë. Ne kemi shpresë që ky samit do bëj Evropën të qëndrojë besnike ndaj premtimeve dhe projektit të saj të madh për paqen dhe prosperitet që nga Lufta e Dytë Botërore’’, tha Kurti.
Tutje ai shtoi se Bashkimi Evropian duhet ‘’të bëhet Evropë’’, dhe kjo ndodh duke anëtarësuar vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Kosovën.
‘’ . Bashkimi Evropian duhet të vazhdoj të rritet që të bëhet Evropë dhe Ballkani Perëndimor është pjesa që i mungon për të qenë Europë. Ne jemi në Evropë por Bashkimi Evropian duhet të bëhet Evropë’’, shtoi ai.
Kurti u pyet edhe për 5 shtetet pjesëmarrëse në këtë samit që nuk njohin Kosovën, për të cilat tha se shpreson do iu bashkohen atyre që e kanë njohur tanimë Kosovën.
‘’Këtu janë 5 shtete që nuk na njohin si shtet, dhe shpresoj që do iu bashkohen shteteve tjera që na njohin, por prapë në marrëdhëniet me BE’në jemi kritikues por pa qenë të frikësuar e as të hidhëruar’’, tha Kurti.
Ai u pyet edhe nëse do ishte opsion kthimi kah Rusia dhe Kina, për të cilën Kurti tha se nuk ka gjasa të ndodhte derisa përmendi edhe faktin se refuzoi vaksinat e dy shteteve.
‘’Jo natyrisht, kurrë nuk kemi marrë asnjë vaksinë nga Rusia dhe Kina, BE është fati dhe destinimi jonë, Evropa është kontinenti jonë’’, përfundoi Kurti.//gazetametro.net