Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke komentuar korrigjimin e kufirit, u ka bërë thirrje anëtarëve të saj që të mobilizohen pasi në ditët dhe javët e ardhshme do të vendosen në krye të protestave qytetare dhe paqësore për ta ndalur krimin që po i bëhet Kosovës dhe popullit tonë.
Kurti në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të VV-së, ka thënë se fatkeqësisht Kosova po kalon në një moment të vështirë.
“Një udhëheqësi e kapur dhe e kriminalizuar, e udhëhequr nga Thaçi, po e nxjerr në shitje territorin e Kosovës për të fituar paprekshmërinë individuale. Ne këtë nuk duhet dhe nuk do ta lejojmë këtë pasi e kemi obligim historik dhe moral. Situata politike është ajo që ka nevojë për forcim të organizatës në ditët dhe javët e ardhshme do të vendosemi në krye të protestave qytetare dhe paqësore për ta ndalur këtë krim që po bëhet ndaj Kosovës dhe popullit tonë”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Kurtit në thirrjet për protesta iu bashkuan edhe disa njerëz të LDK’së, e madje gjeti përkrahje në kundërshtimin ndaj Thaçit edhe tek disa parti në pushtet.
Sidoqoftë, Albin Kurti ka bërë thirrje edhe më herët për protesta në kundërshtim të presidentit Thaçi rreth dialogut me Serbinë./gazetametro.net