Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një replikë ndaj shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK’së), Abelard Tahirit, tha se në termocentralin ‘Kosova B’ nuk ka rënë menaxhmenti, por ka rënë turbina, shkruan Gazeta Metro.
Kjo replikë e kryeministrit shkaktoi të qeshura në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet për propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës.
Paraprakisht, Tahiri tha se edhe menaxhmenti i ri i vendosur para dy vitesh në KEK, e ka sjellë këtë gjendje të keqe tani.
“Duhet t’i shikoni njerëzit të cilët i keni vendosur tash e dy vite në krye të Korporatës Energjetike të Kosovës, sepse edhe ata e kanë sjellë një gjendje të tillë, sepse po të ishte prodhimi në 920 megavatë sa ka qenë në vitin 2017, 2018 2019, importi do të ishte më i vogël”, tha Tahiri.
Në përgjigje, kryeministri tha se “rikthimi i B2-shit, me moshë 40-vjeçare e tejkalon 920 megavatëshin”. “Kjo është asgjë”, shtoi ai.
“E dyta, nuk ka ra menaxhmenti, por ka ra turbina. A e kuptoni? Lopatat e rrotorit të gjeneratorit B2 janë copëtuar, për shkak se shtypja e avullit, në vend që të jetë 120 bar sipas specifikacionit, ka qenë 90 bar. Ddhe avullahi ka qenë me lagështi më të madhe edhe i ka copëtu lopatat e vjetëruara, të cilat kanë ra dhe e kanë dëmtu kondensatorin”, tha Kurti.
Kryeministri e përsëriti këtë, duke thënë se ka pasur nevojë të ndërrohen edhe filterat, por situata ka qenë, siç tha ai, “llom”.
“Nuk ka ra pra menaxhmenti, por ka ra turbina. Sa i përket filterave, ata kanë dashur t’i instalojnë filterat, por kur kanë shku aty e kanë pa që është llom. Duhet njëherë bojlerat, pastaj filterat. E ju s’i keni bë as filterat, as bojlerat Nuk ka filtera pa bojlera. E ne do t’i vendosim bojlerat, që t’i vendosim edhe filterat”, tha ai.