Kryetari i VV’së Albin Kurti, i ka kthyer letrën kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, e cila erdhi disa ditë më parë për t’i uruar fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan Gazeta Metro.
Brenda kësaj letre Kurti, shkroi edhe në lidhje me ftesën e kryeministrit Netanyahu për të vizituar Izraelin.
Në këtë letër, Kurti shpreh mirëpritjen për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Izraelit që janë shndërruar në raporte diplomatike mes dy vendeve.
“Kombi ynë ka qenë historikisht respektues ndaj komunitetit çifut. Si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, do ta kem kënaqësinë që t’i adresoj çështjet relevante të komunitetit çifut dhe trashëgimisë së tij në vendin tonë”, thuhet në letër ndër të tjera.
Ndërsa për ftesën nga Netanyahu, Kurti falënderon atë duke i premtuar se do e bëjë këtë vizitë, por pa definuar kohën.
“Faleminderit që më ftuat për ta vizituar vendin tuaj miqësor, gjë që do ta bëj në një kohë të përshtatshme për të dyja palët”, thuhet tutje.
Netanyahu kishte ftuar Kurtin që të vizitonte Izraelin, kështu duke inauguruar hapjen e ambasadës kosovare në Jerusalem, sipas marrëveshjes së 4 shtatorit.
Vetëvendosje nuk përmendi në letër asnjë gjë në lidhje me këtë ambasadë, derisa i ka premtuar në anën tjetër Turqisë se do shqyrtojë vendndodhjen e saj./gazetametro.net