Loading…

Kurti: Kosova e pozicionuar me ShBA’në, BE’në dhe Britaninë për ta ndihmuar Ukraninën

  • 25/02/2024 | 08:19

Kurti: Kosova e pozicionuar me ShBA’në, BE’në dhe Britaninë për ta ndihmuar Ukraninën

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, në dyvjetorin e agresionit rus ndaj Ukrainës ka deklaruar se në këtë periudhë dy vjeçare gjatë të cilës po luftohet në Ukrainë, Kosova ka mbetur e palëkundur krah aleatëve të saj si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, shtetet e BE’së dhe vendeve të tjera, që janë bashkuar në dënimin e agresionit rus në njërën anë dhe në mbështetjen e Ukrainës në anën tjetër, transmeton Gazeta Metro.


Po ashtu, kryeministri Kurti ka thënë edhe se Kosovës ka qenë një nga shtetet e para që u është bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve të Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve politike, ekonomike dhe financiare ndaj Federatës Ruse

Postimi i plotë:

Gjatë këtyre dy viteve luftë, populli ukrainas dhe Ukraina kanë pësuar humbje në njerëz dhe dëme materiale të pallogaritshme. Qindra mijëra ushtarë dhe mijëra të tjerë civilë janë vrarë dhe plagosur, kurse disa milionë ukrainas janë zhvendosur brenda dhe jashtë Ukrainës. Fshatra dhe qytete të tëra janë rrafshuar dhe janë shfarosur, teksa përveçse në fushëbeteja, shumë jetë njerëzore janë shuar mes gërmadhave të shtëpive të banimit, shkollave, spitaleve dhe infrastrukturës civile. Shumë vite kohë dhe shumë punë e investime, do të duhen në të ardhmen për ta rimëkëmbur Ukrainën kur lufta të ketë përfunduar.

Në këtë periudhë dy vjeçare gjatë të cilës po luftohet në Ukrainë, Kosova ka mbetur e palëkundur krah aleatëve të saj si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, shtetet e Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera demokratike perëndimore, që janë bashkuar në dënimin e agresionit rus në njërën anë dhe në mbështetjen e Ukrainës në anën tjetër.

Sot u bënë dy vite prej kur Rusia e sulmoi ushtarakisht Ukrainën duke e shkelur integritetin territorial dhe pavarësinë e saj si dhe duke i dhunuar liritë e të drejtat e popullit ukrainas. Më 24 shkurt të vitit 2022, trupat ushtarake ruse e kaluan kufirin mes Federatës Ruse dhe Ukrainës, duke u futur në territorin ukrainas dhe duke kryer një agresion të hapur ushtarak dhe të paprovokuar në një mënyrë të pashembullt në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Qysh atë ditë, nëpërmjet një deklarate publike, Republika e Kosovës dhe populli I saj e pati dënuar agresionin ushtarak rus dhe invadimin e Ukrainës nga Federata Ruse.

Republika e Kosovës ka qenë një nga shtetet e para që u është bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve të Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve politike, ekonomike dhe financiare ndaj Federatës Ruse, pas agresionit të saj mbi Ukrainën, dhe i është bashkuar Deklaratës së Përbashkët të Vendeve të G7 mbi Mbështetjen për Ukrainën, e cila shprehë mbështetjen e përpjekjeve të Ukrainës për t’i mbrojtur institucionet e saj demokratike nga lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë me të.

Qeveria e Kosovës vazhdon të mbështesë duke financuar një program të veçantë të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, për strehimin e një grupi gazetarësh ukrainas të larguar nga Ukraina për shkak të luftës, të cilët janë akomoduar në vendin tonë. Republika e Kosovës është një nga 54 shtetet anëtare të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës të udhëhequr nga ShBA-ja, në kuadër të të cilit në takime të rregullta, marrin pjesë Ministri i Mbrojtjes i Kosovës dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Nga 18 janari i këtij viti, një kontigjent ushtarak i përbërë nga instruktorë të FSK-së ka shkuar në Mbretërinë e Bashkuar ku bashkë me Forcat e Armatosura Britanike, për gjashtë muaj do të trajnojnë trupa ushtarake të Ukrainës në kuadër të operacionit “Interflex”.

Në dyvjetorin e fillimit të luftës në Ukrainë, Republika e Kosovës është e pozicionuar drejt dhe do të vazhdojë të qëndrojë kështu krah aleatëve të saj dhe veçanërisht ShBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në rrugën për ta mbështetur dhe ndihmuar popullin dhe shtetin ukrainas për ta mbrojtur territorin dhe pavarësinë e Ukrainës në luftën e drejtë përballë agresionit rus. Duke e mbështetur dhe ndihmuar Ukrainën, bashkë me vendet e botës demokratike e mbështesim lirinë e popujve tanë, pavarësinë dhe pacënueshmërinë e shteteve tona si dhe vlerat demokratike. Aq më tepër që agresioni rus dhe lufta në Ukrainë, u ka dhënë guxim shteteve autoritare në rajon, me pretendime hegjemoniste ndaj fqinjëve. Por ashtu siç nga ajo anë kanë marrë guxim, nga ana jonë dhe e aleatëve tanë kanë marrë shembull, prej reagimeve profesionale dhe vigjilencës së strukturave të sigurisë së Kosovës të mbështetura nga aleatët e saj.

Me trimërinë e popullit dhe ushtarëve të saj si dhe me përkrahjen e aleatëve nga bota demokratike, Ukraina duhet të ngadhënjejë mbi ushtrinë ruse dhe agresionin e Rusisë në territorin saj. Rusia si shtet dhe presidenti despotik i saj Putin, duhet të përgjigjen para gjykatave ndërkombëtare për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Rusia duhet luftuar, dhe Ukraina duhet ndihmuar, deri në fitore. Fitore Ukrainës! Slava Ukraini!

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë