Kryeministri i vendit Albin Kurti, mbrëmë tha se do ishte mirë që të ketë ndryshime në krye të organizatave sindikale siç ka ndodhur ndryshimi edhe në politikë, duke harruar se kjo ndalohet edhe me ligj, shkruan Gazeta Metro.
Kurti e tha këtë deklaratë në një konferencë për media kur u pyet për pakënaqësitë e grevat që po mbahen në vazhdimësi nga Sindikata të ndryshme, në lidhje me Ligjin për Paga.
“Uroj që të ketë gjithandej ndryshime, pra siç po bëhen ndryshime në politikë, unë besoj që duhet të ketë ndryshime në çdo sferë të jetës shoqërore, profesionale, për shkak se jam i bindur që edhe punëtorët shëndetësorë, por edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk mjaftohen që për shumë e shumë vite të vazhdojnë t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz, kushdo që ata qofshin, apo kudo që ata janë”, tha Kurti.
Por ndërhyrja e autoriteteve qeveritare në zgjedhjen apo shkarkimin e sindikalistëve ndalohet me Ligjin për Organizimin e Sindikatave.
Në nenin 25, i cili i takon ‘’ndalimit të ndërhyrjes’’, thuhet se :
”1. Ndalohet çdo akt ndërhyrjeje në krijimin e programeve sindikale, në zgjedhjen e përfaqësuesve
sindikal, dhe në administrimin e organizatave sindikale nga autoritet qeveritare.”
Madje shkarkimi i tyre bëhet nga organi që i ka zgjedhur, në pajtim me dispozitat ligjore, sipas nenit 10 që ka të bëjë me zgjedhjet në sindikatë.
‘’ 3. Anëtarët e zgjedhur mund të japin dorëheqje apo të shkarkohen nga detyra nga organi i cili i ka
zgjedhur në pajtim me dispozitat ligjore.’’
E kjo deklaratë e Kurtit nuk u prit fare mirë nga kryetari i SBASHK Rrahman Jasharaj, bashkë me kryetarin e Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla.
Jasharaj tha se kjo është ‘’përzierje në punën e sindikatave’’.
“Është hera e parë në gjithë vitet e pasluftës edhe pse kemi pasur mospajtime me shumë ish-kryeministra dhe ish-ministri, por kjo nuk ka ndodhur që të përzihet drejtëprdrejt në sindikata asnjëherë”, tha Jasharaj.
Kurse Syla, tha se Kurti e ka tepruar me kërcënime, dhe koha e dikatorëve ka kaluar.
“Shoku Kurti sikur e ke tepru me kërcënime dhe shantazhe ndaj emrit Dr. B. Syla, por po ju rikujtoj: “KOHA E DIKTATORËVE KA KALUAR dhe çdo tendencë e jotja do të dështoj”, ka shkruar Syla në rrjetet sociale.
Kujtojmë se SBASHK pati paralajmëruar protesta vazhdimisht, dhe bojkotim të procesit mësimor nëse nuk zbatohet Ligji për Paga, kurse nga Sindikata e Shëndetësisë patën organizuar një protest simbolike duke shprehur pakënaqësitë ndaj injorimit e refuzimit të kërkesave të tyre./gazetametro.net