Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar edhe njëherë për sulmin terrorist që ndodhi në veri të vendit, derisa ka zbuluar një detaj nga negociatat e Brukselit, se çfarë kishte thënë me 2 maj Vucic për Radojcicin, shkruan Gazeta Metro.
Në një postim në Facebook, Kurti tha se në takimin e 2 majit në Bruksel Vucic na tha që Millan Radojcic do të bëhet Adem Jashari i serbëve.
Kurti tha se Vucic është i obsesionuar me kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin.
“Kosova është shtet demokratik dhe vend properëndimor: kush integrohet, jeton më mirë. Serbët në Kosovë nuk kanë nevojë për çlirim nga Republika e Kosovës por nga veglat terroriste të Serbisë. Vuçiq është i obsesionuar me kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin. Ai dëshironte që me 24 shtator ta shndërronte Manastirin Ortodoks të Banjskës në “Kullë të Jasharajve” për serbët e Kosovës! Në takimin e 2 majit në Bruksel na tha që Millan Radojçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve. Por, duke qenë diktator, ai s’e kupton historinë: epopeja dhe çlirimi nuk fabrikohen dhe as s’kopjohen”, ka shkruar Kurti.
Ndërkaq në ditën e diel kur ndodhi sulmi terrorist në Kosovë, Vucic gjithashtu e përmendi Adem Jasharin në konferencë për media.
“Kur ka ndodhur një konflikt i tillë në Maqedoni janë bërë biseda dhe marrëveshje, ndërsa sot u kanë shqiptarëve thënë “vritni të gjithë”. Kur Serbia ka shkuar në Drenicë që të konfrontohet me ata që kanë dashur të shkëputën nga shteti i njohur ndërkombëtarisht, ata (ndërkombëtarët) thanë se kanë qenë luftëtarë për liri në krye me Adem Jasharin dhe jo terroristë. Vetëm Serbia si duket është terroriste”, tha Vucic të dielën.
Kujtojmë se me 24 shtator ndodhi një sulm terrorist, ku u vra një polic i Kosovës. Më pas policia arriti t’i eliminoi tre terroristë. Në krye të këtij sulmi terrorist dyshohet se ishte Milan Radojcic. /gazetametro.net