Me nisjen e sezonit të korrje-shirjeve, është rikthyer edhe një pamje që është bërë e zakonshme në vitet e fundit: kryeministri Albin Kurti nëpër ara, pranë fermerëve dhe mbi kombajna, shkruan Gazeta Metro.
Edhe këtë verë, Kurti vizitoi fermerë gjatë korrjeve, duke u ngjitur në një kombajnë i shoqëruar nga ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, si dhe nga një pjesëtar i mbrojtjes së afërt. Pamje të ngjashme janë parë edhe në vitet e kaluara, kur në krye të Ministrisë së Bujqësisë ishte Faton Peci.
Vizitat zhvilloheshin në fusha gruri, bostani e luledielli, me takime me fermerë dhe fotografi nga aktivitetet në terren. Nga ato vizita ka mbetur edhe një moment kur, gjatë hipjes në një kombajnë, Kurti ia mbylli derën Pecit, duke e lënë për pak çaste në shkallë derisa ai të hynte brenda.
Me ndryshimin e ministrit, duket se nuk ka ndryshuar as skenografia e vizitave verore. Në vend të Pecit, këtë vit në krah të Kurtit është Armend Muja, ndërsa destinacioni mbeten arat dhe kombajnat në kulmin e sezonit të korrje-shirjeve./gazetametro.net
1

