Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar sot për takimin që ka pasur me ambasadorët e QUINT’it, pak para se të njoftonte për shtyrjen e vendimit për targat, shkruan Gazeta Metro.
Kurti në një konferencë për shtyp tregoi se qëndrimi dhe kërkesa e ambasadorëve ka qenë që vendimi për targat të shtyhet për më shumë muaj, megjithatë ka treguar se s’kanë qenë të njoftuar për planin dhe propozimin e Qeverisë së Kosovës.
“Natyrisht që qëndrimi, ideja e tyre ka qenë që gjithçka të spostohet në kohë për më shumë muaj, por ne besojmë që kjo është zgjidhja më e mirë”, u shpreh kryeministri.
Kurti gjithashtu tregoi se ambasadorët në këtë takim kanë thënë se iu nevojitet të konsultohen me qendrat e tyre për të dhënë mendimin për propozimin e Qeverisë së Kosovës.
“Ata natyrisht që nuk e dinin këtë propozim paraprakisht, patën disa pyetje dhe më pas thanë që iu nevojitet të konsultohen me kryeqytetet e tyre, me kryeqendrat e tyre, për ta dhënë mendimin lidhur me këtë vendim tonin”, tha Albin Kurti.
Vendimi i marrë sot nga qeveria parasheh që deri në prill të vitit të ardhshëm, qytetarët që bartin targa ilegale të qortohen e të gjobiten, deri sa të futet në fuqi vendimi i ri për heqjen e plotë të përdorimit të këtyre targave./gazetametro.net