Kryeministri i vendit Albin Kurti, ka folur së fundmi për krizën energjetike që po kalon Kosova dhe se cilat do ishin alternativat që vendi të mos kaplohej nga kjo krizë, transmeton Gazeta Metro.
Ai gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, tha se kritikat të cilat thonë se energjia është dashur të blihet me kohë, në mënyrë që të evitohet kjo krizë, janë të pabaza pasi ‘’ nuk ka qenë e mundur sepse s’mund të blesh energji elektrike dhe ta konzervosh në frigorifer’’.
Kurti tutje shtoi se vendi është goditur nga kjo krizë pasi është vendi më i varfër, dhe shpenzon shtatë herë më shumë energji elektrike amvisëria në raport me industrinë.
“Jemi kritikuar që është dashur të blejmë energji elektrike më herët por nuk ka qenë e mundur sepse s’mund të blesh energji elektrike dhe ta konzervosh në frigorifer je shumë i ekspozuar ndaj çmimeve të bursës dhe nuk ka asnjë vend në rajon që është vend eksportues të gjithë janë duke importuar. Ne jemi goditur rëndë sepse jemi vend më i varfër se të tjerët sepse shtatë herë më shumë shpenzon më shumë energji elektrike amvisëria në raport me industrinë”, ka thënë Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës
E kjo krizë sipas Kurtit nuk do kaloj shpejt, derisa tha se është krizë që ka kapluar gjithë Evropën jo vetëm Kosovën.
“Kriza energjetike nuk është vetëm në Kosovë është në gjithë evropën por neve na ka goditur si një popullësi e varfër që jemi por ne po përpiqemi që përmes subvencionimit të konsumit në njërën anë dhe rregullimit të bllokut B2 ta zbusim sado pak këtë situatë. Kjo situatë nuk do të mund të përfundojë shpejt meqë këto ditë ngarkesa bazë është 900 megavat ndërkaq shpenzimi maksimal arrin në 1.4 gigavat ndërkaq i gjithë kapaciteti prodhues sikur të punonte edhe blloku B2 nuk do të mund të kalonte 900 megavat prodhim”, tha Kurti.
Tutje shtoi se edhe çmimi i rrymës për të cilën paguan Kosova është tejet i shtrenjtë.
“Ne jemi të detyruar të importojmë energji elektrike dhe këtë jemi duke e bërë me çmime bukur të shtrenjta sepse bursa ndërkombëtare është goditur rëndë nga çmimet e larta të gazit. Ne subvencionojmë konsumin dhe do të ndihmojmë familjet që janë më të varfra por edhe kemi bërë thirrje që ta racionalizojnë shpenzimin”, tha ai./gazetametro.net