Loading…

‘Kurti u paraqit si i çmendur në ministritë e Shqipërisë’, publikohet audio-incizim tjetër: Përplasja e ashpër e Boiken Abazit brenda VV’së

  • 28/01/2022 | 11:31

‘Kurti u paraqit si i çmendur në ministritë e Shqipërisë’, publikohet audio-incizim tjetër: Përplasja e ashpër e Boiken Abazit brenda VV’së

Edhe Boiken Abazi ishte pjesë e mbledhjes me shumë tensione që ishte mbajtur në fillim të vitit 2018, mes kryesisë dhe grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo ishte një nga mbledhjet e fundit, para përçarjes së madhe të kësaj partie.


Demokracia.com ka siguruar disa audio-incizime, ku zbulohen shumë gjëra rreth situatës në të cilën ndodhej partia asokohe dhe përplasjet që i kishin anëtarët me njëri-tjetrin. Pjesëmarrës mjaft i zëshëm aty ishte edhe Boiken Abazi, kryetar i qendrës së këtij subjekti politik në Shqipëri. Ky i fundit, dëgjohet duke i akuzuar disa anëtarë të LVV-së se kishin shkuar nëpër ministritë e Shqipërisë dhe e kishin paraqitur Albin Kurtin si të çmendur.

Audio-incizimet e siguruara ekskluzivisht nga Demokracia.com zbulojnë shumë rreth përplasjeve mes anëtarëve të LVV-së. Boiken Abazi në këtë mbledhje të përbashkët kishte akuzuar Dardan Molliqajn dhe Besa Shahinin, tani bashkëshorte e tij, se kishin hapur një zyrë lobimi kundër Albin Kurtit në Tiranë.

Pa akuza, Abazi nuk i kishte lënë edhe shumë anëtarë të tjerë të LVV-së. Sipas tij, Albin Kurtin po e paraqisnin nëpër ministritë e Republikës së Shqipërisë si të çmendur.

“Tre persona të ndryshëm në Tiranë, figura publike, të tre më kanë thënë se Dardani bashkë me shoqen e tij janë përpjekur për të hapur një zyrë lobimi në Tiranë dhe kanë nisur diskutimet për të hapur një zyrë lobimi në Tiranë. Njëri prej tyre është i gatshëm të dëshmojë këtu para jush. Dy persona më kanë thënë se kanë ardhur në Tiranë, edhe disa prej jush që jeni prezentë, ka shkuar në një prej ministrive në Republikën e Shqipërisë dhe e ka paraqitur Albin Kurtin gati si të çmendur dhe jo vetëm në një ministri”, dëgjohet duke thënë Boiken Abazi.

Ai pretendon më tej se ka pasur edhe sulme mes anëtarëve të LVV-së. Sipas tij, Dardan Sejdiu i kishte folur me ton të lartë deputetes Fitore Pacolli dhe ajo për këtë ngjarje i ishte ankuar vetë Boiken Abazit.

“Unë di nga Fitore Pacolli, që kur ka qenë duke grumbulluar nënshkrimet në Kuvend, toni i zërit me të cilin i ke folur asaj gjatë kohës sa ka qenë duke grumbulluar nënshkrimet, mund të them se nuk është toni i zërit të një kolegu dhe këtë mendoj se Fitorja duhet ta shpjegojë vetë”, thotë Abazi.

Këtu dëgjohet duke i ndërhyrë Dardan Sejdiu, ku i thotë se ka fakte se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

“Shyqyr që ka qenë Glauku 30 centimetra afër meje, Boiken”, thotë Sejdiu.

Demokracia.com të enjten gjatë ditës ka publikuar edhe dy audio-incizime të tjera nga kjo mbledhje. Në njërën dëgjohet Albulena Haxhiu duke folur për dorëheqjen e saj nga partia në shtator të vitit 2017 për çështjen e pagës. Ndërsa, audio-incizimi tjetër kishte të bënte me Glauk Konjufcën. Ky i fundit derisa kërkonte të dinte se ku po qëndronte problemi me dorëheqjet, kishte treguar për disa pakënaqësi e kritika që vetë ai i kishte për Lëvizjen Vetëvendosje.

Gazeta do të vazhdojë të publikojë edhe detaje të tjera nga mbledhjet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje.

Publikohen audio-incizimet: Albulena Haxhiu ishte dorëhequr nga VV për shkak të pagës

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë