Loading…

Kush dhe pse nuk i preferojnë Kadri Veselin dhe PDK’në në opozitë?

  • Nga

  • FATON ABDULLAHU

  • 25/08/2020 | 12:22

Kush dhe pse nuk i preferojnë Kadri Veselin dhe PDK’në në opozitë?

Nuk janë të paktë ata që sot mendojnë se PDK dhe z. Kadri Veseli si Kryetar i saj janë duke pritur cuc për të kërcyer në pushtet pa shkuar në zgjedhje dhe këtë do ta bëjnë në marrëveshje me qeveritarët aktual. Ata që mendojnë kështu, e të cilët janë edhe nga Qeveria edhe nga opozita, po bëhen më të zëshëm, edhe po shtohen në numër. Kjo po ndodh edhe përkundër faktit që, PDK vazhdon të deklarohet se ka marr vendim qysh më 6 tetor të vitit të kaluar se do të mbetet në opozitë.


Shkruan: Faton Abdullahu

Këtë e ka thënë në mënyrë të përsëritur edhe Kryetari i saj z. Veseli. Pse ndodh kjo ? A është vërtetë kaq grykëse PDK për tu kthyer në pushtet, a ka vërtetë Kosova nevojë tash menjëherë për rikthim të PDK-së, apo ka edhe diçka tjetër në këtë që është e një natyre tjetër dhe në shumë dimensione e veçantë që nuk i ka ndodhur më herët kësaj partie? Karakteristikë e përbashkët e të gjithë atyre që e duan Kryetarin Veseli dhe PDK-n në Qeveri para se të shkohet në zgjedhje është se, ata e kanë hallin e tyre më shumë se çfarëdo tjetër, e kanë hallin e tyre larg më shumë se punët e PDK-së dhe natyrisht krejt këto shpjegime i mbështjellin me të njohurën se situata është e tillë dhe këtë duhet bërë për interesa institucionale dhe rrethanave kruciale në të cilat gjendet Kosova.

VV për shembull  nuk e do për disa arsye PDK-n që ta vazhdoj të qëndroj edhe më tutje në opozitë. Ajo e sheh si rivale që mund të ja eklipson pozitën opozitare e për rrjedhojë ta dëmtoj opozitarizmin e saj. VV dhe PDK kanë shumë dallime,  edhe tani në opozitë dallojnë shumë dhe nuk do të mund të bëhen bashkë. Kjo është shumë më e sinqertë se ajo që u mundua ta bëjnë VV dhe LDK (Qeveria KUrti) që ishte plotësisht e pasinqertë dhe e destinuar të dështoj.  VV e do bajrakun në opozitarizëm sepse këtë e ka pasur tash e shumë vite. Për më shumë asaj i duhet që të mos ketë dallime ndërmjet forcave të tjera politike, sepse i do të gjitha partitë politike në një vend, që t’i godas të gjitha pa dallime dhe t’i fajësoj njëjtë për të gjitha dështimet të cilat zakonisht ajo i paraqet qëllimshëm të shumëfishuara. Nga kjo prizëm duhet  parë edhe mocioni i VV-së para disa ditëve për ta rrëzuar  Qeverinë Hoti i cili dështoj. Këtë përfundim të mocionit e dinin edhe iniciuesit. Por me mocionin VV u mundua që ta ndaloj procesin brenda të cilit PDK si subjekt opozitar po fitonte pikë politike dhe po e dëmtonte VV-n. Prandaj për ta ndalur këtë, VV deshi ta vë në sprovë PDK-n me sqarimin se nëse je përnjëmend për ta rrëzuar Qeverinë Hoti, votoni mocionin, përndryshe nuk e keni seriozisht. Për arsye të njëjta VV vazhdon ta akuzoj zëshëm dhe vazhdueshëm PDK se dëshiron të hy në Qeveri sepse VV-së PDK në opozitë i pengon larg më shumë.

LDK në këtë drejtim nuk mbetet mbrapa, përkundrazi. Edhe LDK nuk e dëshiron PDK në opozitë dhe këtë për dy arsye. E para, në çdo aspekt LDK e ka kuptuar se kështu sikundër qëndron puna, Qeveria Hoti nuk mund të qëndroj gjatë. Për të mbetur në pushtet, për ta forcuar pushtetin, por pa shkuar në zgjedhje, LDK preferon që Qeveria e re e formatizuar, PDK-n ta ketë disi brenda. E dyta, krejt kjo u pa edhe më shpluar kohëve të fundit, sidomos kur zoti Haradinaj filloj të insistoj se nëse nuk do të përkrahet nga koalicioni aktual që ai të bëhet President i vendit, do të largohet nga Qeveria Hoti. Sa më shumë që ky kërcënim i AAK-së bëhet serioz, aq më shumë LDK pretendon se së shpejti PDK do të jetë pjesë e Qeverisë. Me këtë LDK dëshiron ta disiplinoj AAK-n me logjikën po nuk deshe ti ne marrim tjetër kënd në Qeveri. Kështu që sa më shumë dëshiron LDK ta amortizoj kërkesën e z. Haradinaj, aq më shumë i konvenon ta paraqes PDK-n se është e gatshme të bëhet pjesë e Qeverisë.

Ndërkombëtarët ende nuk janë të prerë në këtë drejtim. Mirëpo nuk janë të paktë ata ndër ne të cilët mendojnë se, edhe ndërkombëtarët e duan PDK në një Qeveri të re sepse pa PDK-n nuk mund të shtyhen shumë projekte dhe procese përpara, kurse shkuarja në zgjedhje tani në kohë pandemie është me rreziqe. Disa shkojnë edhe më tutje, mos deklarimin e ndërkombëtarëve me ndikim në Kosovë e lexojnë si shenjë se ata janë duke punuar në këtë drejtim.

Hiç punën e Gjykatës Speciale, përkatësisht propozim aktakuzën, PDK në opozitë në asnjë variant nuk është duke u dëmtuar, përkundrazi duket se ajo është duke mbledhur pikë politike për konstruktivitetin opozitar që ka treguar, sidomos situatës pandemike. PDK edhe sikur të mos bënte asgjë në opozitë ajo po përfiton jo vetëm tërthorazi nga gabimet e Qeverisë Hoti dhe nga qasja vazhdimisht përjashtuese e VV sidomos në raport me Uashingtonin zyrtarë.  A do të jetë edhe më tutje më mirë që PDK të vazhdoj me opozitarizmin e saj, është e vështirë të thuhet, sepse kjo varet edhe nga ajo se si do të zhvillohen disa ngjarje që kanë të bëjnë me dialogun me Serbinë, me pandeminë,  por edhe me Gjykatën Speciale. Një dihet se, PDK është parti e madhe dhe si do të veproj në të ardhmen e afërt Kryetari i saj Kadri Veseli, do të varet shumë jo vetëm shëndeti demokratik i Kosovës por, edhe fati i shumë proceseve të rëndësishme për vendin tonë.

(Autori është analist i njohur politik dhe kjo kolumnë është shkruar për Gazetën Metro)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
m[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë