Loading…

Kush është kundër Qeverisë Kurti është hajn

  • Nga

  • FATON ABDULLAHU

  • 14/03/2020 | 20:01

Kush është kundër Qeverisë Kurti është hajn

Nuk janë të paktë ata që fitoren e LV-së në zgjedhjet e fundit e konsiderojnë të barasvlershme me çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Pavarësisht se fitorja e LV-së nuk garantonte asnjë qeverisje me mendësi të re të cilën LV po e pretendon dhe pavarësisht se vetëm me ndihmën e LDK-së po mundohet ta vendos këtë mendësi e cila mund të pranohet kështu vetëm po funksionoj një mashtrim optik, sepse LV ishte ajo që LDK-n nuk e kursente, bile pothuajse as që e dallonte asnjëherë nga akuzat që ja kishte bërë krejt krahut të luftës, pra pavarësisht krejt këtyre, fitorja e LV- së pretendohet se është nga ato ngjarje që e ndajnë kohën në dysh, para dhe pas Vetëvendosjes.  Fakti se nuk po bëhet kështu, se kjo nuk u  sigurua as me vota, as me partnerin që nuk ndryshon as punon ashtu si dëshiron LV-ja, vetëm se i revolton më shumë ata që janë bindur se epoka e re progresive me LV-n ka filluar.


Shkruan: Faton Abdullahu

Për rrjedhojë të kësaj mendësie të krijuar, të ngjashme me ekzaltimin e fitoreve revolucionare pas luftërave të mëdha, të kthyer tashmë në bindje partiake, kritikat që sot disa prej nesh mund t’i drejtojmë ndaj Qeverisë Kurti, sulmohen pa pardon, me gjuhën më të ashpër të mundshme, thua se po kritikohet lufta dhe përpjekja për çlirimin e Kosovës, thua se po kontestohet shpallja e pavarësisë së vendit tonë. Që nga përfundimi i luftës nuk ka pasur qasje të tillë të ashpër ndaj mendimit ndryshe në Kosovë. Për më shumë sot të kritikosh bëmat e Qeverisë Kurti, të kritikosh atë që nuk po e bën kjo Qeveri dhe shumë elementë të qeverisjes së tij, do të etiketohesh nga një ushtri në rrjetet sociale e cila është në gatishmëri të plotë me bindje prej çlirimtarëve që sollën një epokë të re. si hajn, apo njeri që ja ke frikën ‘fshesës Kurti’ e cila sipas tyre po qon në bërllokun e historisë mbeturinat e grumbulluara në Kosovë tash 20 vite. Brengosëse deri në alarm.

Kjo qasje hamshore e ndal pa respektin më të vogël, ngulfat pa pardon, mendimin opozitar ndaj Qeverisë Kurti ende pa u formësuar si duhet, as tek partitë politike, as te OJQ-t, as tek qytetarët e thjeshtë. Kjo bëhet në emër të fitores mbi të keqen, të keqes që duhet të davaritet një herë e përgjithmonë. Prandaj sot përmbledhtazi thënë, shëndeti demokratik në Kosovë, ai shëndet që duhet të determinohet mbi bazën e përballjes së përhershme pozitë – opozitë, mbi kritikën e vazhdueshme që duhet t’i bëhet cilësdo qeveri, po deformohet. Kjo po ndodh sepse mendimi kritik për këtë qeveri, jo vetëm që nuk po pranohet si mendim ndryshe dhe mendim opozitar, por përkundrazi po sulmohet keq. E keqja nuk është se mendimi opozitar sot në Kosovë mund të ndalohet, kjo nuk mund të ndodh, por e keqja është se ai mendim po identifikohet dhe vlerësohet si përpjekje për ta ngjallur të kaluarën e keqe dhe të këqijtë e së kaluarës. Thjeshtë sipas kësaj mendësie, kushdo që sot nuk është me Qeverinë Kurti, apo që është kundër saj, është hajn, për më keq, mundohet t’i kthej hajnat në pushtet që të vazhdohet me të vjetrën.

Pro-amerikanizmi si kamuflim i hajnisë

Në kuadër të përpjekjes për ta ndëshkuar hajninë, nepotizmin dhe të këqijat tjera, të cilat gjithsesi ishin jo pak të pranishme dhe kjo është e vërtetë sa edhe përpjekja e pandalshme për t’i ekzagjeruar ato dhe paraqitur si kërcënim për vetë ekzistencën e Kosovës,  është krijuar edhe një shpjegim më i hershëm dhe i vazhdueshëm se për t’i zbuluar këto të këqija, për ti zbuluar hajnat dhe hajninë, së pari duhet të zhveshen ata dhe këto procese negative, nga pro-amerikanizmi. Thënë ndryshe, proamerikanizmi është parë dhe vlerësuar edhe si formë kamuflimi për ta bërë hajninë më pak të dukshme e më vështirë të zbulueshme.

Kjo qasje dhe ky shpjegim është stërkequr aq shumë dhe për kohë aq të gjatë sa që është dëmtuar edhe pro-amerikanizmi në vendin tonë, si orientim gjeopolitik, refuzimi i të cilit përnjëmend mund ta sjell në pikëpyetje ekzistencën e vendit tonë. Çuditërisht tani pas fitores së LV-së dhe formimit të Qeverisë Kurti, disi në një mënyrë, të shprehësh në mendimet dhe vlerësimet e tua politike pro-amerikanizëm, përveç se akuzohesh si servil i neveritshëm, pa risi në mendime e mediokër, akuzohesh edhe për hajn i cili pro-amerikanizmin po e përdor për ta mbrojtur hajnin apo për tu mbrojtur vetë nga fshesa e Qeverisë Kurti. Ndërkohë e keqja është se me atë fshesën e Qeverisë në vend se ta pësojnë vetëm ata që në të vërtetë janë për të dhënë përgjegjësi, gjithnjë e më shumë me këtë fshesë po rrezikohen të largohet nga mendja dhe mendësia jonë politike vetë raportet tona të mira me SHBA-t në të vërtetët vetë SHBA-t.

(Autori është analist i njohur politik dhe kolumnist i rregullt, ky artikull është shkruar enkas për Gazeta Metro).

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë