Loading…

Kush është Xhuliano Skuka, ‘1-milionëshi’ i Shqipërisë, gazetari shqiptar: Ka karakteristika të lindura

  • Nga

  • ELION NUZA

  • 25/01/2023 | 12:31

Kush është Xhuliano Skuka, ‘1-milionëshi’ i Shqipërisë, gazetari shqiptar: Ka karakteristika të lindura

Të hënën kur Partizani i Tiranës zyrtarizoi largimin e Xhuliano Skukës shkroi se është arritur marrëveshja me Metz ”për një shifër rekord jo vetëm për tregun shqiptar, por edhe në rajon”. 24-vjeçari u largua nga Kategoria Superiore për të vijuar karrierën në Europë te një shtet ku kishte jetuar në vitet e adoleshencës. ”Ka kaluar vitet e formimit atje” thotë gazetari nga Shqipëria, Andi Kasmi për Gazeta Metro.


Kasmi është adhurues i madh i futbollit shqiptar, sidomos i klubit ku Skuka thuhet se i solli më shumë se një milion euro e pritet që t’i sjellë edhe disa të tjera vitet në vazhdim, pasi që ‘Demat e Kuq’ kanë mbajtur 20% të kartonit të lojtarit në transferimin e ardhshëm.

”Shpejtësia, nuhatja për golin, akrobacia dhe shpërthimi në 20 metrat e fundit të fushës. Gjuan mirë me të dyja këmbët, kërkon portën nga çdo pozicion. Ka vend për përmirësim në lojën në ajër dhe pjesëmarrjen në manovrën mbrojtëse të skuadrës,” thotë ai kur pyetet se për çka njihet më shumë Skuka.

Ai vazhdon të kujtojë golin kundër Tiranës në derbin ndoshta më të madh në trojet shqiptare. Gol që atij ia kujton një nga ‘bomberët’ më të mirë të Shqipërisë, Hamdi Salihin.

”1 veçori: ka karakteristika të lindura, goli i vjetshëm në derbi kundër Tiranës me rrafishatë (bicycle) të kujton Hamdi Salihin,” kujtoi ai.

Një gol me rrafishatë ‘xhevahiri’ i ri i Kombëtares së Shqipërisë e kishte provuar edhe në miqësoren e luksit kundër Italisë, por goditjen në qendër të portës e kishte ndalur Alex Meret.

Megjithatë, sikurse shumica e futbollistëve nëpër botë as Skuka nuk e kishte pasur të thjesht të arrijë në nivele të larta.

Gazetari tregon për 24-vjeçarin se si para se të transferohej te Partizani te klubi tjetër nga kryeqyteti i Shqipërisë, Dinamo ishte kritikuar shpesh dhe nuk aktivizohej në pozicionin e preferuar të tij si qendër sulmues.

”Te Dinamo pritej të ishte sulmuesi kryesor i skuadrës. Nuk pati besimin e trajnerit, merrte pak minuta. Sa here iu besua, shpërbleu me gola në kupë dhe kampionat. Më pas trajneri i atëhershëm i Dinamos nuk e konsideronte më si lojtar formacioni, e aktivizonte në krah dhe e kritikonte shpesh. Diçka që ndodh në futboll, në varësi të pëlqimeve të trajnerëve. Pasi u largua për te Partizani, Skuka nga 1 gol në kampionat me Dinamon, e mbylli me 10 të tillë në fund të sezonit. Dinamo ra një kategori më poshtë.”

”Me Partizanin, Skuka nisi një histori afrimiteti. E ndihmoi fakti që shënoi gol që në ndeshje të parë dhe disa të tillë në javët në vazhdim. Partizani vuante për sulmues qendre, Skuka për një projekt ku t’i besohej e të kishte mundësi të luante rregullisht. Qe e thënë të ishte një bashkëpunim suksesi,” tha ai për Gazeta Metro.

Andi Kasmi mendon që nëse i përsëritet historia si në xhirot e para te Partizani, atëherë Skuka nuk do ta ketë aspak të vështirë ambientimin në Francë.

Tjetër fakt që ai e sheh si ndihmë për futbollistin është se nuk ”do të ketë presion të madh tifozerik”.

”Ka kaluar vitet e formimit atje. Njeh gjuhën, ambientin, falë sakrificës së prindërve gëzon edhe të drejtën e një pasaporte franceze, që i lehtëson burokracirat dhe i mundëson aktivizimin si lojtar komunitar. Metz duket projekt ambicioz, me synim ngjitjen në kategorinë e më të mirëve. Skukën mund ta ndihmojë fakti që nuk është në një klub me presion të madh tifozerik (si Nice apo Marseille, ose ndonjë realitet tjetër i ngjashëm në Francë) e mund të përparojë lirisht në karrierën e tij. Mund ta pengojë, në rast se nuk do shënojë gola në një kohë të shkurtër, fakti i shumës që u pagua për kartonin e tij. Mund t’i rrisë pritshmëritë,” tha ai.

Festa për ‘një-milionëshin’ e Skukës mbrëmë mund të themi se u prishë pak në kampin e Partizanit. Rivali i tyre i përbetuar Tirana njoftoi shitjen e një tjetër ylli të ri në ngritje, Redon Xhixhës te Qarabag Agdam në Azerbajxhan.

Moshatar të njëjtë, luajnë në pozicione të njëjta, të dy u larguan brenda pak ditësh, çka i dallon Skukën me Xhixhën është se ky i fundit këtë edicion në kampionatin shqiptar ka shënuar një gol më shumë (11).

Kush do t’i mungojë më shumë futbollit shqiptar Redon Xhixha apo Xhuliano Skuka, kjo është përgjigja e Andi Kasmit.

”Të dy. Xhixha i pari e Skuka i dyti largohen si shënuesit më të mirë të kampionatit deri tani. Xhixha mori stafetën e Seferit, vjet lojtari me më shumë gola për Tiranën. Bardheblutë tani Xhixhën numerikisht po e ndërrojnë me Kristal Abazajn që vjen nga Turqia. Kurse Partizani ende nuk ka kryer një goditje për të zëvendësuar Skukën. Partizanit Skuka do i mungojë më shumë se Tiranës Xhixha,” përfundoi ai për Gazeta Metro.

Skukën dhe Xhixhën i dallon edhe një gjë, i pari ka shënuar gol me Kombëtaren e Shqipërisë ndërsa tjetri ende në pritje. Por, një gjë është e sigurt nëse të dy vazhdojnë të kenë kësi lloj performanca atëherë Armando Broja duhet të ndihet i rrezikuar. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë