Loading…

Kush i paguan punëtorët në Vallaç?

  • 10/11/2021 | 08:43

Kush i paguan punëtorët në Vallaç?

Zyrtarët e KOSTT-it kanë theksuar se operatorët, si në të gjitha nënstacionet 110/35 kV, janë punëtorë të KOSTT-it. Por, megjithatë, ky institucion ka theksuar që nuk ka informacion kush i paguan aktualisht operatorët në nënstacionin Vallaç.


Por, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Rrjeti Elektrik i Serbisë ka thënë që punëtorët në nënstacionin Vallaç marrin pagë nga ta.

“Janë të punësuar për një kohë të pacaktuar në Rrjetin Elektrik të Serbisë (Elektromrezha Srbije), janë shtatë dhe nuk marrin rrogë nga buxheti i shtetit, por nga punëdhënësi, gjegjësisht kompania Rrjeti Elektrik i Serbisë”, thuhet në përgjigje.

Çështja për nënstacionin e Vallaçit u riaktualizua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili, më 5 nëntor, ka deklaruar se pret që autoritetet e Kosovës së shpejti do të provojnë të marrin në kontroll nënstacionin elektrik të Vallaçit në veri të Kosovës, duke thënë se një gjë e tillë është e mundshme të ndodhë që nga 6 nëntori.

Vuçiq ka shtuar se Prishtina do ta zgjedhë momentin kur do ta bëjë këtë, por ai e ka lutur atë që të mos e bëjë këtë, me tone që nënkuptojnë se Serbia do të reagojë, pa e përcaktuar se si.

Deklarata të ngjashme Vuçiq kishte bërë edhe më herët.

Deri më tash, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nuk kanë komentuar deklaratat e Vuçiqit. Por, këto deklarata të presidentit serbe nga ish-ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri dhe analisti politik, Artan Muhaxhiri po vlerësohen si nxitëse dhe provokuese ndaj Kosovës.

Cila është rëndësia e nënstacionit elektrik në Vallaç?

Zyrtarët e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se nënstacioni në Vallaç është aset i këtij operatori.

Sipas zyrtarëve të KOSTT-it, në Vallaç është një nënstacion lokal i rëndësisë së njëjtë për shpërndarjen e energjisë elektrike me nënstacionet distributive në pjesë tjera të Kosovës. Ai është ndër nënstacionet e para të ndërtuara në Kosovë në Sistemin e Transmetimit dhe është i lidhur me pesë linja të tensionit të lartë 110 kV (kilovolt): me nënstacionin Trepça, nënstacionin Skënderaj, nënstacionin në Ujman, nënstacioni Ilirida (Mitrovicë) dhe nënstacioni Palaj (në afërsi të Prishtinës), si dhe nënstacioni Novi Pazar 2 (linjë interkonektive Kosovë-Serbi).

Megjithatë, siç thuhet në përgjigjen e KOSTT-it për Radion Evropa e Lirë, operimi i nënstacionit Vallaç “ka rol në sigurinë dhe besueshmërinë e furnizimit me energji elektrike për palët e kyçura në këtë nënstacion në kuadër të Sistemit të Transmetimit të Republikës së Kosovës, veçanërisht për konsumatorët në pjesën veriore të Kosovës përfshirë hidrocentrali i Ujmanit”.

“Gjithashtu, ky nënstacion është i rëndësishëm për shkëmbimin fizik të energjisë elektrike në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes linjës interkonektive 110kV Vallaç-Novi Pazar. Stabilimentet 110kV në këtë nënstacion mundësojnë lidhjen fizike të rrjetit të transmetimit të pjesës veriore të Kosovës me pjesën tjetër të rrjetit të transmetimit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it./REL

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë