Në tetor, në Kosovë nga tregu i anëtarëve të CEFTA-s, kanë mbërritur mallëra në vlerë prej 67.8 milionë euro, ose 28.1 përqind nga importi i përgjithshëm.
Pjesa më e madhe e importit në tregun e anëtarëve të CEFTA-s, por edhe në përgjithësi vjen nga Serbia (14.2 përqind), Maqedonia (6 ), Shqipëria (4.3) dhe nga Bosna dhe Hercegovina (3 përqind), shkruan gazetametro.net.
Pas Serbisë, në tregun total, si importues të tjerë më të mëdhenj në Kosovë janë Gjermania me 12.2 për qind dhe Italia me 7 për qind.
Muajin e kaluar në Kosovë janë importuar mallëra në vlerë prej 241.3 milionë euro ndërsa në tregjet tjera nga Kosova janë eksportuar lënda e parë dhe prodhime në vlerë prej 27.1 milionë, njohtohet nga Agjencioni i statistikave të Kosovës.
Eksporti i prodhimeve nga Kosova mbulon vetëm 11.2 përqind të importit.
Eksporti nga Kosova në tregjet e anëtarëve të CEFTA-s, në tetor ishte 15.2 milionë euro, ose 56.3 përqind nga eksporti i përgjithshëm, që është një rritje prej 26.1 përqind në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Nga Kosova në tregun e Serbisë është plasuar 22 përqind e eksportit, në Maqedoni 13.4, Shqipëri 12.9 dhe në Mal të Zi 5.4 përqind.
Shënimet e Agjencionit të statistikave të Kosovës tregojnë se në Kosovë gjatë muajit tetor më së shumti mallra kanë arritur nga vendet e BE-së – 105.4 milionë euro ose 43.7 përqind nga importi i përgjithshëm.
Pjesëmarrja më e madhe në import nga vendet e BE-së kanë Gjermania me 12 përqind, Italia me 7.2, Greqia me 4.2, Polonia me 3 përqind. Ndërsa eksporti në vendet e BE-së nga Kosova muajin e kaluar ishte 7.1 milion euro ose rreth 26.6 përqind nga eksporti i përgjithshëm.
Importi i Kosovës nga tregjet tjera ishte në vlerë prej 68 milionë euro ose 28.2 përqind të importit të gjithëmbarshëm. Vendet me pjesëmarrje më të madhe në import në këtë grup janë Kina me 9.5 përqind dhe Turqia me 9.2 përqind.
Në Kosovë më së shumti importohet ushqimi, duhani, prodhimet minerale, metalet bazike dhe prodhimet prej tyre, maqinat mekanike dhe elektrike dhe paisjet, prodhimet e industrisë kimike, mjete transportuese, prodhimet nga plasitika dhe guma.
Në tetor nga Kosova më së shumti janë eksportuar prodhimet minerale, metalet bazike dhe prodhimet e tyre, prodhimet e gatshme ushqimore, pijet dhe të duhani, prodhimet e plastikës, gumës, prodhimet bimore, lëkura dhe prodhimet e saj etj. /gazetametro.net