Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës caktoi masë të përkohshme ndaj vendimit të Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, transmeton Gazeta Metro.
Masa vlen nga data 9 deri më 31 mars dhe ndalon çdo veprim të presidentes dhe Kuvendit gjatë kësaj periudhe. Ky vendim vjen pasi kryeministri Albin Kurti dorëzoi për shqyrtim në Kushtetuese dekretin e presidentes të premten e kaluar.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 116 (2) të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit dhe rregullat 44, 45, 46 (2) dhe 48 (1) (d) të Rregullores së punës, më 9 mars 2026, njëzëri VENDOS I. TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës masën e përkohshme me të cilën ndalohet çdo veprim i Presidentes së Republikës së Kosovës në lidhje me Dekretin nr. 24/2026 të 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kohëzgjatjen e përcaktuar sipas pikës II të këtij Vendimi”, thuhet në njoftim.
Gjykata urdhëroi gjithashtu se masa e përkohshme “hyn në fuqi më 9 mars 2026, në kohëzgjatje deri më 31 mars 2026”.
Presidentja Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit pasi presidenti i ri nuk u zgjodh deri në fund të ditës së enjtë, më 5 mars./gazetametro.net