Emisari special i Bashkimit Europian (BE), për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka bërë të ditur se shumë shpejt do i ftojë zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe të drejtorin e së ashtuquajturës zyrë për ‘Kosovë dhe Metohi’, pranë Qeverisë së Serbisë, Petar Petkovic, në Bruksel, shkruan Gazeta Metro.
Në takimin në Bruksel, Lajcak pritet që t’i bëjë të ditura hapat e ardhshëm të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
“Si hap të ardhshëm në dialog, do t’i ftoj kryenegociatorët në Bruksel dhe do t’i diskutojmë hapat për zbatimin [e Marrëveshjes], për t’u siguruar se kemi një pajtim se si të vazhdojmë me zbatimin. Kjo është shumë e rëndësishme”, tha ai.
Marrëveshja Kosovë-Serbi ka hyrë në fuqi me deklaratën e Josep Borell të shtunën rreth mesnatës. Sipas BE’së ajo është ligjërisht obligative. Kështu e shohin edhe Emisari i SHBA’së Gabriel Escobar dhe ambasadori Christopher Hill.
Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.
Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje. /gazetametro.net