Loading…

Lamtumirë Gjeneral!

  • 03/12/2021 | 00:01

Lamtumirë Gjeneral!

Shteti kosovar ka metë pa kujtesë institucionale. Kosova zyrtare heshti për njeriun që ruejti paqen e brishtë në Kosovën e sapo çlirueme dhe iu bâ krah në shërimin e plagëve të luftës. Që me u dëshmu si shtet pa kujtesë institucionale dhe shoqni egoiste e mosmirënjohëse lajmi për dekë t’gjeneralit u dha tek më 2 dhetor.


Shkruan Halil Matoshi

Shteti kosovar ka metë pa kujtesë institucionale!
1.
Më 30 nandor 2021 paska dekë ni njeri i Kosovës, Gjenerali Klaus Reinhardt, gjermani që mori detyrën si Komandant i Dytë i KFOR-it, nga Gjenerali britanik Mike Jackson.
Kosova zyrtare heshti për njeriun që ruejti paqen e brishtë në Kosovën e sapo çlirueme dhe iu bâ krah në shërimin e plagëve të luftës. Që me u dëshmu si shtet pa kujtesë institucionale dhe shoqni egoiste e mosmirënjohëse lajmi për dekë t’gjeneralit u dha tek më 2 dhetor! Gjenerali madje e pati vizitu Lëvizjen Vetëvendosje më 2014, gjatë qëndrimit në Kosovë, grupim politik që âsht në pushtet.

Themeltari i idesë së Republikës Dr. Brahim Rugova, jo pa arsy thojke se ‘sh’pia mbahet me miq’, por kjo sh’pi shpejt e shymi zjermin e miqësisë edhe me miqtë që i zuni Rugova !?
Presidentja e vendit Vjosa Osmani po thotë se: “Si presidente e vendit do të kujdesem maksimalisht që trashëgimia e tij politike, miqësitë që i krijoi për ne, sidomos ajo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me vendet e BE-së dhe vendet e tjera demokratike anekënd botës, të ruhen e të kultivohen më tej.”
Porse miqësitë ndërmjet kombeve i lidhin njerëzit, për së gjalli.
E ni nga ta ishte Klaus Reinhardt.
Asni keqardhje, ngushëllim a kujtesë e nivelit të naltë të shtetit, për tre ditë me radhë!
Politikë qorre!?

2.
Gjenerali Reinhardt ishte dëshmu si luftëtar i rindërtimit e prosperimit të Kosovës dhe kjo vërtetohet nga ni bisedë që e zhvilloi me Përfaqësuesin e Politikës së Jashtme të BE-së, Javier Solana.
“Në takimin e parë me zyrtarin e lartë të Brukselit Solana, i kërkova atij gjysmë miliard dollarë për çdo vit, derisa ta stabilizojmë shtetin e Kosovës. Solana nuk u përgjigj pozitivisht. Ai tha se, BE nuk ndanë mjete financiare për shtete të cilat nuk janë anëtare të Unionit dhe vazhdoi të llomotis, duke treguar se çfarë nuk mund të bëjë. I thash dil jashtë, dhe ai më shikoi i habitur, dil jashtë e përsërita dhe doli. Të nesërmen më telefonoi duke më thënë se kurrë në jetë nga asnjë personalitet nuk është pritur aq keq”.

3.
Pusho në paqe Komandant!
Në rreshtin e njerëzve kalorësiak të lirisë së Kosovës!

(Halil Matoshi është shkrimtar dhe publicist i njohur kosovar.)

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë