Loading…

Latifi: PSD ka premisa për t’u bërë parti serioze, por i duhen dy ndryshime

  • 29/01/2022 | 13:28

Latifi: PSD ka premisa për t’u bërë parti serioze, por i duhen dy ndryshime

Profesori universitar, Blerim Latifi, ka bërë një analizë të shkurtër rreth Partisë SocialDemokrate, shkruan Gazeta Metro.


Ai ka thënë se PSD ka premisa për tu bërë parti serioze porse atyre u duhen dy gjëra paraprakisht, çlirimi nga politika e inatit dhe çlirimi nga anakronizmi ideologjik.

Latifi ka kritikuar edhe Manifestin Politik të PSD’së që u publikua para pak kohësh.

Këtu keni statusin e tij të plotë.

“PSD i ka premisat për t’u bërë një parti serioze në skenën politike kosovare, edhe pse tani duket më shumë si një klub i folësve ta talentuar publikë.

Por, që t’ia arrijnë kësaj, u duhen paraprakisht dy gjëra: çlirimi nga politika e inatit dhe çlirimi nga anakronizmi ideologjik, të cilin e bartin që nga periudha e hershme e Vetëvendosjes. Çlirimi i parë ka të bëj me heqjen dorë nga angazhimi politik i motivuar nga inatet personale që kanë me Kurtin. Duhet të heqin dorë për të treguar se nuk vazhdojnë të vuajnë nga trauma e ndarjes me Kurtin. Trauma dhe inati nuk të mundësojnë politikë kreative. Ato të dënojnë të mbetesh rob i të kaluarës dhe i ndjenjave të revanshit e hakmarrjes. Ato të shpërfaqin si njeri që politikën e bën për egon tënde të lënduar, e jo për çështjet publike. Ato të dënojnë ta shohësh realitetin nga një persepektivë e ngushtë, nga ngushtësia e shpellës tënde personale. Njerëzit nuk do të të vijnë pas për të kënaqur ndjenjat tua të hakmarrjes.

Çlirimi i dytë ka të bëj me heqjen dorë nga megalomania boshe e diskursit neomarksist, me të cilin PSD e kishte mbushur Manifestin e saj politik. Nuk mund të kuptohet realiteti kosovar me koncepte të tilla si “providenca”, “domosdoshmëria historike”, “hegjemonia gramshiane”, “lufta e klasave”, “tjetërsimi e tejdeterminimi”, “lufta kundër korporatave multinacionale dhe kapitalizmit financiar”, “kapitali që ia bën varrin vetes”, “mungesa e qasjes internacionaliste, si shkak i krizës brenda të majtës”, e broçkulla të tjera nga koha e debateve ideologjike të KOMINTERN-it. E vetmja fushë ku për këto koncepte mund të flitet seriozisht është historia e ideve politike. T’i marrësh seriozisht ato në rrafshin e politikës praktike të një vendi të vogël, siç është Kosova, është thjesht budallallëk, në kuptimin e plotë të fjalë”, ka shkruar Latifi në llogarinë e tij në Facebook. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë