Loading…

Lavdi hajnisë!

  • Nga

  • IMER MUSHKOLAJ

  • 29/10/2020 | 12:00

Lavdi hajnisë!

Mosndëshkueshmëria e krimit dhe siguria nga të fortë të politikës se nuk do të ketë ndëshkim, ka bërë që zyrtarë shtetërorë të marrin guximin që të keqpërdorin miliona euro. Për fajin e politikës së keqe, korrupsioni e plaçkitja e shtetit tashmë janë legjitimuar si kulturë jetese.

Shkruan: Imer Mushkolaj

Indikacione të frikshme nga reagimi i qytetarëve në një sondazh të realizuar nga Pyper dhe Telegrafi, që u transmetua në RTV Dukagjini përkitazi me super skandalin e vjedhjes së më shumë se dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit. Shumica e të anketuarve mendojnë se në këtë skandal kanë gisht politikanët, se përgjegjësinë kryesore për korrupsionin në Kosovë e mbajnë politikanët dhe se niveli i korrupsionit në Kosovë po rritet. Ndërkohë, në një sondazh në Facebook të emisionit “Debat Plus”, 94 për qind e atyre që kanë votuar mendojnë se politika ka gisht në “avullimin” e dy milionë eurove.

Këto janë perceptime të qytetarëve në kohën kur u bë publik dyshimi se një zyrtar shtetëror kishte dëmtuar buxhetin për më shumë se dy milionë euro, të cilat i kishte transferuar në llogari të një kompanie private. Por, përtej perceptimeve, e vërteta që e dinë të gjithë është se në Kosovë hajnia e korrupsioni ndodhin vazhdimisht dhe se më të përhapura këto dukuri janë në institucione e kompani publike.

Rasti i dy milionë eurove, i cili u bë publik, është indikacioni më i qartë se si njerëz të caktuar nëpër institucione kanë keqpërdorur pozitat dhe detyrën zyrtare për të vjedhur buxhetin e shtetit. Se si këtë e kanë bërë pa frikë se mund të ndëshkohen dhe me një siguri se nuk do të ndëshkohen. Ndryshe, është e pabesueshme që një zyrtar të mund të veprojë në këtë mënyrë, duke i transferuar në mënyrë krejt të lehtë milionat nga llogaria e shtetit në llogari private.

Vetëm mund të supozohet se sa raste të tjera të ngjashme kanë ndodhur, po që nuk janë bërë publike.

* * *

Ishte interesante të shihje e dëgjoje zyrtarë të partive politike, teksa përpiqeshin t’ia gjuanin njëri-tjetrit përkatësinë partiake të të dyshuarit për keqpërdorim. Pra, këta zyrtarë nuk bënin garë se kush të marrë merita për luftimin e korrupsionit e krimit të organziuar, por përpiqeshin ta lajnë veten nga një emër i përveçëm që “rastësisht kishte qëlluar” të jetë pjesë e një subjekti politik – të paktën bazuar në të kaluarën e tij prej zyrtari shtetëror.

Rasti i dy milionëve nuk është i vetmi skandal që ka ndodhur në Kosovë. Në të kaluarën dy herë janë vjedhur dhomat e dëshmive të policisë, ndërkaq të nesërmen e publikimit të skandalit dymionësh u njoftua se një kasafortë e rëndës 300 kilogramë ishte grabnitur nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, institucion që ruhet nga policia.

Pra, as rastet në të kaluarën e as ato tash nuk kanë mundur dhe nuk mund të ndodhin pa një bashkëpunim të mirorganizuar, që rezulton me dëmtimin e buxhetit dhe pronës së shtetit.

Shumë nga ata që janë pjesë e politikës, pjesë e institucioneve, këtë e shohin si një mundësi të mirë për të përfituar, për t’u pasuruar. Asetet e shtetit i shohin si të huajat, si asete që duhet keqpërdorur, duhet plaçkitur. Pozitat që mbajnë i shohin si pozita që ua garantojnë paprekshmërinë, ua sigurojnë rehatinë për të bërë çfarë të duan, pa pasur frikë se do të ndëshkohen nga drejtësia. Pikërisht kjo dhe klima e mosndëshkueshmërisë e ka sjellë situatën që ata të mos i frikësohen askujt për veprimet e veta, që ata të ndihen të fortë e të paprekshëm karshi veprimeve që dëmtojnë shtetin. Pra, ata vjedhin e keqpërdorin, sistemi i drejtësisë – i kapur nga politika – nuk e kryen punën si duhet dhe rrethi vicioz vazhdon të funksionojë.

* * * Teksa shohin dhe dëgjojnë të tilla skandale, qytetarët nuk kanë se si të kenë perceptim tjetër për korrupsionin dhe politikën, për hajninë dhe politikën. Sepse ata shohin dhe dëgjojnë çdo ditë se si të përfolur për keqpërdorime bëjnë jetë luksi dhe shfaqen si të fortë e të paprekshëm. Ata shohin dhe dëgjojnë se të arrestuar e të proceduar nga drejtësia lihen të lirë dhe i kthehen sërish politikës. Ata shohin dhe dëgjojnë se si politika i ka në dorë organet e drejtësisë dhe “peshqit e mëdhenj” vazhdojnë t’i shpëtojnë “rrjetës” së tyre. Ata shohin dhe dëgjojnë se si në shtetin e tyre toka publike është shitur madje një euro – një ari dhe qindra-mijëra hektarë janë blerë nga politikanët dhe të afërmit e politikanëve. Ata shohin dhe dëgjojnë se si njerëz të rëndësishëm të politikës dhe jo vetëm janë pasuruar e pasurohen çdo ditë duke shfrytëzuar asetet e shtetit, duke shfrytëzuar të qenit në poste publike, të qenit në politikë. Andaj, nuk iu mbetet gjë tjetër veçse të thërrasin “Lavdi hajnisë”! Hajnisë dhe marrëzisë së atyre që e kanë legjitimuar hajninë e korrupsionin si kulturë jetese.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë