Mbrëmë në Ohër nën ndërmjetësimin europian u arrit ujdia ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për implementimin e aneksit që del nga plani franko-gjerman, ndërsa sot për këtë marrëveshje kanë reaguar nga Lëvizja për Bashkim, shkruan Gazeta Metro.
Nga kjo parti ndër të tjera thanë se kjo marrëveshje i komplikon edhe më tutje raportet Kosovë-Serbi.
Ata thanë se edhe në Ohër, u bënë bisedime të gabuara një lloj si kanë bërë pushtetet e kaluara, pra duke negociuar vetëm për çështje të brendshme të Kosovës, dhe duke injoruar shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës.
LB thonë se politikbërja e kësaj qeveria vetëm sa ja ka shtuar presionin e jashtëm Kosovës për zbatimin e një marrëveshje, që në fakt nuk është zgjidhje.
Nga ky subjekt vazhdojnë të institojnë në modelin e tyre për zgjidhjen e problemeve me Serbinë, pra ata janë për ripërcaktim të kufijve, dhe reciprocitet në të drejta, si për serbët në Kosovë ashtu edhe për shqiptarët në Serbi.
“Një “marrëveshje” që nuk zgjidh gjë!
Ashtu sikurse që u bë e njohur për publikun, më 18 mars, nuk pati marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nga deklaratat e tri palëve pas takimit, Kosova dhe Serbia, pas një presioni të madh të BE-së dhe SHBA-së, janë pajtuar për të zbatuar planin e BE-së, i cili në realitet, jo që nuk zgjidh gjë, por i komplikon tutje raportet Kosovë-Serbi.
Në Ohër, u vazhdua rruga e gabuar e bisedimeve të qeverive të kaluara, që të bisedohet vetëm për çështjet e brendshme të Kosovës dhe u “harruan” shqiptarët e Kosovës Lindore, pra Kryeministri Kurti “harroi” reciprocitetin si parim të zgjidhjes së problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë; njohja ndërmjet dy vendeve u zëvendësua sërish me “njohjen faktike” të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë, njohje, të cilën e kanë “siguruar” shumë herë më parë edhe qeveritë e kaluara; rreziku nga implementimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, u zëvendësua me paqartësinë rreth “vet-menaxhimit” të komunitetit serb në Kosovë; dhe mbi të gjitha, në horizont duken qartazi tendencat e të dyja palëve për vazhdimin e status quo-s dhe zvarritjes së zgjidhjes së problemeve të mbetura në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Lëvizja për Bashkim thekson se qeveria e Kosovës, duke ndjekur rrugën e gabuar, e ka futur vendin në presion të fuqishëm ndërkombëtar për zbatimin e një marrëveshjeje, që, në fund të fundit, nuk është zgjidhje.
Lëvizja për Bashkim, edhe një herë deklaron se pa shtrimin e drejtë për zgjidhje të problemeve të mbetura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra pa reciprocitet në të drejta deri në ripërcaktim të kufijve, nuk do të ketë marrëveshje finale, nuk do të ketë zgjidhje e as pajtim të dy vendeve”, thuhet në njoftimin e tyre.
Kujtojmë se dje pas takimit maratonik që zgjati më shumë se 10 orë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, pala kosovare dhe ajo serbe janë pajtuar për Aneksin e implementimit të marrëveshjes drejt rrugës së normalizimit të tyre.
”Synimi i takimit të sotëm ishte që Kosova dhe Serbia të pajtohen si ta implementojnë marrëveshjen e pranuar në takimin e kaluar të nivelit të lartë më 27 shkurt. Sot ishte synimi si të zbatohet. Kjo do të thotë hapa praktikë se çfarë duhet të bërë, kur duhet të bërë, nga kush duhet të bëhet dhe si.”
Përmes portalit EEAS, BE’ja më vonë publikoi Aneksin e Implementimit të Marrëveshjes për Normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Pika më e nxehtë e ujdisë ajo që i përket nenit 7, njëherazi është pika më kontroverse për vet kryeministrin Albin Kurti, ajo e vetëqeverisjes së serbëve të Kosovës përmes një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe.
Aty obligohet direkt Kosova që të fillojë procedurat për themelimin e kësaj niveli të vet-menaxhimit siç quhet ‘menjëherë’ siç tha Përfaqësuesi i Lartë i Komisionit Europian, Josep Borrell./gazetametro.net