Lëvizja Vetëvendosje pas ndarjes dhe problemeve të shumta që pati brenda partisë, po dëshiron një koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, një koalicion që vështirë do të arrihet pas problemeve që këto parti kishin në të kaluarën.
Shkruan: Faton Abdullahu
A është e mjaftueshme përpjekja për ta larguar PDK-në nga pushteti që ti bëjë bashkë LDK-në dhe VV-në? Ato karakteristika dhe togvlera politike dhe jo vetëm politike që janë të njëjta apo të ngjashme edhe për LDK-në dhe VV-në nuk kanë qenë asnjëherë të shumta, përkundrazi kanë qenë dhe janë të pakta. Për më shumë në faza të mëhershme raportet LDK – VV kanë qenë edhe konfliktuoze, bile armiqësore.
Përkundër kësaj të kaluare dhe dallimeve të mëdha, vazhdon të ketë një disponim kohëve të fundit se LDK-ja dhe VV-ja duhet të bëhen bashkë, sepse kjo do të krijoj zhvillime të reja të cilat më pas do të determinojnë rrethana të favorshme për të bërë ndryshime pozitive qeverisëse apo thënë ndryshe për ta quar PDK-në në opozitë. A do të mund këto parti, tash dy vite opozitare, t’i tejkalojnë dallimet e mëdha dhe armiqësitë e vjetra, për ti përmbushur pritshmëritë e jo pak simpatizantëve e votuesve të tyre, për të ofruar ndryshime pozitive, pritje këto të cilat ka mendime shprehur me brengë se mund të mos realizohen në asnjë variantë tjetër, nëse këto dy subjekte nuk bëhen bashkë.
E vërteta është se edhe LDK-ja edhe VV-ja kanë ndryshuar. VV-ja ka pësuar një përçarje që i ka bërë asaj dëm të madh. Ajo është zvogëluar dhe dobësuar. A është duke u rritur prapë VV-ja, mbetet të shihet së shpejti në zgjedhjet e parakohshme. Gjithsesi në çdo aspekt VV-ja është larg nga arritja e stadit në të cilën ka qenë para se të ndahet me ata që më pas u bënë PSD. A e ka bërë më fleksibile dhe të hapur për qasje e ide tjera VV-në fakti se ka humbur shumë dhe është zvogëluar, apo ajo është e bindur se duhet të vazhdoj me konsekuencë rrugën që e ka trasuar deri më tani për të arritur përsëri atje ku dikur ishte, edhe kjo mbetet të shihet.
Vlen të theksohet se VV ka paguar çmimin e ndarjes gati përgjysmë, për të mbetur ajo që ka qenë, thjeshtë për të mos ndryshuar. VV ka qenë me një mendësi opozitarizmi krejt unik në Kosovë dhe Ballkan ku refuzimi, duke mos i njohur institucionet, dyzuar bile edhe me punë gati ilegale, ka qenë i vrazhdë deri edhe me protesta të dhunshme. VV-ja fajtorët dhe dështimet për ta konstituuar Kosovën si një shtet komb i ka gjetur gjithmonë te faktori ndërkombëtar dhe konformizmi i klasës politike shqiptare në Kosovë, të cilën pa dallim e ka akuzuar për korrupsion, krim dhe tradhti.
Me këtë qasje, që në të parë dukej shumë flijuese dhe e guximshme, por që në të vërtetë i vente ata në zonën e mos marrjes së përgjegjësive instiucionale, VV-ja ka grumbulluar shumë simpati dhe vota të qytetarëve të pakënaqur dhe më pas me ato është imponuar si subjekt politik duke u bërë edhe pjesë e institucioneve, por duke ruajtur kundërshtimin e vrazhdë opozitar edhe përbrenda institucioneve. Ndoshta zgjedhjet e ardhshme dhe sidomos ardhja në pushtet si dhe koalicioni me LDK-në mund të jenë vazhdim i VV-së që të ndryshoj tutje kursin e saj, komod refuzues, duke e kuptuar se të mirat nuk vijnë shpejt.
LDK në anën tjetër aktualisht në prag të zgjedhjeve të reja konsiderohet partia më e madhe e cila sipas shumë gjasave mund ti fitoj ato. Pritshmëritë nga anëtarësia dhe simpatizantët e saj janë shumë të mëdha. Në këtë gjendje LDK nuk ka qenë qysh nga vdekja e liderit të saj Presidentit Rugova. Meritat për këtë në rend të parë i shkojnë Kryetarit aktual z. Isa Mustafa. Qeverisja e tij si Kryeministër ka dhënë rezultate, sidomos për kualitetin e jetës së qytetarit dhe kjo nuk është harruar, e tillë del edhe më shumë kur krahasohet me dështimet dhe marrëzitë e qeverisjes së z. Haradinaj.
Tash së fundi duke e menaxhuar një situatë të ndërlikuar dhe të ndjeshme, ai ka krijuar rrethana të favorshme, duke bërë balance ndërmjet gjeneratave dhe grupeve të ndryshme përbrenda kësaj partie, gjë që ka rezultuar me unitet partiak. Thjeshtë zoti Mustafa përgjatë qeverisjes dhe menaxhimit të partisë e ka dëshmuar se përbrenda hapësirës jo gjithmonë të madhe e të volitshme, ka ditur të manovroj me zhdërvjelltësi pragmatike, me çka ka zgjeruar mundësitë për LDK-në.
Problemi më i madh ndërmjet këtyre dy subjekteve politike sot, nuk qëndron tek fakti se njëra është e djathtë e tjetra e majtë. Në të vërtetë LDK-ja ka ende punë për të bërë që të përditësohet si e qendrës së djathtë, ndërkohë që VV-ja majtizmin nuk e ka të njëjtë, bile as të ngjashëm, me partitë majtiste të Evropës, sepse ajo aspiron për ndryshime të asaj natyre në Kosovë të cilat si procese në Evropë o nuk kanë ekzistuar o kanë përfunduar shumë kohë më parë. Problemi qëndron tek raporti i këtyre dy partive me faktorin ndërkombëtar, konkretisht me amerikanët dhe raporti me konceptet shtetndërtuese.
VV konsideron se procesi përmbyllës shtetndërtues në Kosovë duhet të arrihet me çdo kusht dhe shumë më shpejt, qoftë edhe duke e kundërshtuar shumë dhe pandalshëm Brukselin dhe Uashingtonin. Ndërkohë që LDK-ja ka një traditë të gjatë bashkëpunimi me këto dy qendra dhe shtetndërtimin e kupton si proces që obligon pashmangshëm koordinim veprimesh vazhdimisht me këto dy qendra, kurse kohëzgjatjen e arritjes së kësaj kauze nuk e ka sforcuar me veprime pa koordinime sidomos me Uashingtonin.
Nuk janë të paktë ata që sot mendojnë, por edhe janë entuziast se një koalicion LDK me VV do të ishte shumë i suksesshëm për ta luftuar korrupsionin, krimin, nepotizmin dhe ngjallur meritokracinë, por edhe për të mos bërë lëshime të ashtuquajtura të dhembshme në dialog me Serbinë. LDK dhe VV bashkë mund të jenë një dyzim i fleksibilitetit pragmatik dhe raportit të mirë me ndërkombëtarët që e ka LDK-ja dhe konsistencës dhe ngashërimit për qeverisje me meritokraci nga VV-ja të cilët ende nuk janë sprovuar me qeverisje qendrore e për rrjedhojë në këtë drejtim janë të pakorruptuar.
Se si do të shkoj marrëdhënja para dhe pas zgjedhore ndërmjet LDK-së dhe VV-së do të varet edhe prej asaj se çfarë do të bëjnë subjektet tjera. VV nëse nuk shkon me LDK-në do të mbetet në opozitë pashmangshëm dhe kjo duhet ta detyroj atë që të heq dorë që ajo ta ketë Kryeministrin. Ndërkaq LDK-ja ka mundësi më të shumta për të manovruar në këtë aspekt me qëllim që ta marr pushtetin si partia më e votuar, por rreziku i saj vije mu nga rritja që e ka pasur kohëve të fundit e cila mund ti shtyj të tjerët të bëhen bashkë kundër saj.
(Autori Faton Abdullahu është analist politik. Teksti është i shkruar enkas për Gazetën Metro)