Grupi parlamentar i LDK’së, bashkë me kryetarin Isa Mustafa dhe kryeministrin e vendin kanë mbajtur një mbledhje, në të cilën është diskutuar kryesisht për Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, shkruan Gazeta Metro.
Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Arben Gashi para mediave tha se shpreson që ky ligj të kalojë brenda kësaj jave.
“Ne grupi parlamentar u mblodhëm sot me kryetarin e partisë, pjesë e mbledhjes ishte edhe kryeministri. Diskutuam për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, po shpresojmë që brenda javës ta votojmë.”, tha ai, raporton Gazeta Metro.
Gashi tutje tha se çështjet tjera, si humbja e zgjedhjeve në Podujevë dhe propozimi i një emir për president, nuk janë diskutuar në këtë mbledhje.
Kujtojmë se takimi i strukturave të LDK’së vjen vetëm një ditë pasi kjo parti humbi bastionin më të madh që e mbante përgjatë viteve, Podujevën.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje është shpallur fituese e zgjedhjeve në Podujevë, ndërsa Lista Serbe në ato që u mbajtën sot në Mitrovicën e Veriut.
Kandidati i VV’së, Shpejtim Bulliqi ka fituar pa balotazh në komunën e Podujevës, duke marrë 51.64 përqind të votave.
Bulliqi në këto zgjedhje pasohet nga Nexhmi Rudari i LDK’së, më 35.97 përqind, dhe PDK në vendin e tretë, ku Naim Fetahu mori 12.40 përqind të votave, raporton Gazeta Metro.
Ndërkaq, Lista Serbe fitoi bindshëm në Mitrovicën e Veriut, ku ka marrë 89.86 përqind të votave, pasuar nga VV më 3.68 përqind, PDK më 3.54 dhe Dusan Milunovic 2.92 përqind.
Kujtojmë se komuna e Podujevës dhe ajo e Mitrovicës së Veriut shpallën zgjedhjet pasi dy ish-kryetarët, Agim Veliu e Goran Rakic morën poste në Qeverinë Hoti.
Zgjedhjet janë zhvilluar në kushte më ndryshe prej herëve të kaluara, duke marrë parasysh situatën me pandeminë./gazetametro.net