Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar pas përzgjedhjes së drejtorit të ri të RTK’së, Rilind Gërvalla, duke thënë se përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK, përveç se përbën një kapje të plotë të këtij institucioni publik, shpërfaq qartazi dhe tendencën e pushtetit për të institucionalizuar propagandën partiake në kanale publike të informimit, shkruan Gazeta Metro.Â
Në një reagim për media, LDK ka thënë se ka përcjellur me vëmendje procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të kanalit në gjuhën shqipe të transmetuesit publik, Radio Televizionit të Kosovës; në veçanti pas shqetësimeve të ngritura për politizim të përzgjedhjes nga organizata vendore e ndërkombëtare që nga shpallja e konkursit.
“Përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK, përveç se përbën një kapje të plotë të këtij institucioni publik, shpërfaq qartazi dhe tendencën e pushtetit për të institucionalizuar propagandën partiake në kanale publike të informimit. Informimi i pavarur publik, nga një institucion i financuar nga fondet publike, përbën bazën e një demokracie të shëndoshë dhe të qëndrueshme. RTK-ja, duhet të ketë rol thelbësor në informimin e pavarur dhe të drejtë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe ky rol ushtrohet kur pushtetet nuk përcaktojnë politikat editoriale të kanaleve informuese e nuk vendosin aktivistët e tyre partiak në krye të këtyre institucioneve”, ka thënë LDK në reagim.
Tutje në reagim është thënë se kapja politike e tij është veçse vazhdimësi e politikave të këqija që kanë karakterizuar këtë institucion publik.
“Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon anulimin e menjëhershëm të përzgjedhjes në fjalë dhe do të ngrisë temën e kapjes së institucionit të televizionit publik, në Komisionin përkatës parlamentar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të reagimit. /gazetametro.net