Loading…

LDK-së i duhet qartësim ideologjik e politika kuadrovike

  • Nga

  • MUHAMET BYTYÇI

  • 09/03/2021 | 14:37

LDK-së i duhet qartësim ideologjik e politika kuadrovike

Improvizimet për formimin e Qeverisë së Avdullah Hotit, pakënaqësia për qeverisjen e Kosovën në shumë vite si dhe zhgënjimi masiv me pandeminë, janë vetëm disa faktorë që kosovarët dolën dhe votuan masivisht  tri  subjekte politike opozitare të futura në një listë: Vetëvendosjen, Listën Vjosa dhe Alternativën,  përballë të gjitha partive të tjera që kishin qeverisur vendin në 20 vitet e fundit. Ani pse në këtë qeverisje, përfaqësuesit nga Lista Vjosa, Alternativa e Kusarit, e shumë të aderuar në VV, ishin bashkëpjesëmarrës.


Shkruan: Muhamet Bytyçi

Por, nga këto zgjedhje epilogu që duket qartazi është që zgjedhjet e 14 shkurtit nxorën një fitues të madh LVV dhe një humbës të madh LDK-në. Kjo situatë është e mjaftueshme që udhëheqja e LDK-së të marrë përgjegjësinë për rezultatet.

Sigurisht që ‘kur thyhet qerrja, ka rrugë sa të duash’, thotë populli. Qerrja është thyer tashmë, dhe përgjegjësit duhet ta paguajnë dëmin, qoftë edhe kur e dimë që nuk është krejt i tyre.

Personalisht konsideroj se Avdullah Hoti ka bërë punë të mira në Qeveri, veçanërisht në politikën e jashtme si kryeministër, por qytetaret gjykuan ndryshe. Ata ishin të thyer nga pritjet që kishin

ndërtuar për ‘koalicionin e shpresës’ VV-LDK, të vitit 2019. Kjo thyerje, shto edhe pandeminë, bashkë me improvizimet për një qeveri që mezi rrinte në këmbë, i ka kushtuar shtrenjtë LDK-së.  Aq shtrenjtë sa që nxori rezultatin më të keq në historinë e zgjedhjeve si parti.

Tani LDK-ja, udhëheqja e saj, mund të kenë 100 argumente, por janë të pa mjaftueshme. LDK -ja duhet të reformohet. LDK-ja nuk mund të jetë më konkurrente vetëm me emrin e Ibrahim Rugovës, aq më shumë kur sot nuk po e ndajmë dot shapin nga sheqeri dhe ‘rugovistë janë bërë të gjithë’. Apo më saktë, s’po dihet kush çka është.

Në këtë situatë duhen reforma të thella, LDK-ja duhet të gjejë rrugën për të dalë nga kriza ku e ka kurthuar veten për shumë arsye. Ibrahim Rugova në LDK duhet të jetë vetëm element frymëzimi e vlerë historike. Ai nuk të bënë më partinë e as nuk t’i fiton zgjedhjet. Madje as nuk të duhet më aso lloj partie, as nuk është e kohës e as nuk të jep rezultate, sepse as Kosova më nuk është në atë fazë.

Çka është Reforma në LDK?

Nëse i biem shkurt, Reforma është nëse LDK-ja e ruan bazën dhe njerëzit që kanë bërë shumë për të dhe nxjerrë figura të reja për LDK-

në e së ardhmes. Asaj i duhet një projekt të ri  dhe me vizion për një LDK  që do të ballafaqohet në një konkurrencë që dallon shumë nga ajo e para 10 apo 15 viteve.

Një LDK dinamike, që punon shumë. Nuk është më koha e LDK-së së komunikatave për media shabllon dhe e zyreve të pluhurosura që hapen vetëm në kohë zgjedhjesh. Është kohë e politikave kuadrovike.

LDK-ja duhet të ketë në gjirin e saj edhe përvojën e Lutfi Hazirit, edhe imazhin, qasjen, energjinë e besimin ne publik që ka sot Lumir Abdixhiku. LDK ja duhet të ketë në gjirin e saj edhe përvojën e Gazmend Muhaxherit e lidershipin e tij në Pejë, por edhe imazhin e përkushtimin e Ilir Feratit në Istog. LDK-ja duhet të ketë edhe përvojën e sakrificën për LDK të Agim Veliut në Podujevë, por edhe profesionalizmin dhe energjinë, imazhin dhe besimin  e Flamur Ukë Bytyçit në Suharekë. LDK-ja duhet te ketë në mesin e saj edhe përvojën e Imri Ahmetit në Lipjan, por edhe konsistencën, përkushtimin, besimin e imazhin e Lirije Kajtazit në Gjilan.

I mora disa emra, por LDK-ja ka edhe shumë emra te tjerë të vlefshëm për të bërë reforma e për t’ia dhënë një mundësi të re vetes.

Është me rendesi ta rikujtojmë se LDK-ja nuk e ka rezultatin e fundit rezultat vetëm të qeverisjes së fundit, por e ka prej kohesh, duke qenë e sigurt që një mbështetje në popull për të është në cilëndo situatë. Në këtë situatë ku është LDK-ja, nëse reformat nuk janë të thella, përmbajtsore dhe me strategji të qartë për të ardhmen e saj,  rënia vetëm sa do të vazhdoj.

Kryetari i ri i LDK-së duke u nisur nga ajo që u përshkrua më lartë, duhet të ketë dy objektiva kryesore për ta nxjerrë LDK-në nga kurthimi i saj shumëvjeçar. E para punë që duhet të bëjë është qartësimi i mirëfilltë ideologjik si qendër e djathtë dhe shtrirja e këtij diskursi të anëtarët e saj dhe të mbështetësit e qytetarët e Kosovës – arsyeja pse është tha çka përfaqëson ky subjekt politik.  E dyta është tek politikat kuadrovike të LDK-së. Nuk është koha që bëhet politikë e organizim partiak (me gjithë respektin për të kaluarën), me figura si: Adem Salihu,  Milihate Termkollin, Besa Gaxherri, Naser Rugovën e shumë si këta.

LDK-së i duhet një gjeneratë e re si moshë e si mendësi që e kthen besimin në LDK. Politika është edhe besim, besim ku një parti, një organizim, një formacion politik apo edhe një individ merr besimin dhe e shndërron në të mirë të përbashkët.

Krejt në fund, kandidati më i përshtatshëm për një reformë në LDK sot nga publiku shihet Lumir Abdixhiku. Ky është kandidati që i duhet LDK-së. Anëtarët e LDK-së duhet ta mbështesin Lumirin dhe kjo do t’i ndihmonte në qartësimin e rrugës për rikthimin e LDK-së. Por, përtej asaj çka ka ndodhur, anëtarët e LDK-së duhet ta mbështesin Lumirin e së ardhmes dhe jo atë të dy viteve të heshtjes.

Vazhdoj të besoj që LDK-ja si formacion i qendrës së djathtë, nëse bënë reforma të thella me ato që theksova më lartë, i duhet skenës së Kosovës. Aq më shumë që sot duhet organizim opozitar e përpjekje për ta ruajtur demokracinë në vendin tonë. Nuk është koha për improvizime, por për një reformë të thellë në LDK.

(Autori është Master ne Politika Publike dhe Menaxhim. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazeta Metro.)

Më të fundit
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë