Para pak orësh, kandidati i Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK), për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, e bëri publike marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje në këtë komune, por çuditërisht nga ana e VV’së kanë thënë se ende nuk është arritur një marrëveshje e tillë, shkruan Gazeta Metro.
Kandidati i LDK’së, Shehu ka shkruar para pak orësh se LDK dhe LVV në Junik, kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit mes tyre.
“LDK Dega në Junik dhe LVV Qendra në Junik, kanë nënshkruar marëveshje të bashkëpunimit mes tyre. Ditëve në vijim do të publikojmë edhe programin e përbashkët qeverisës 2022-2025, të cilin do e realizojmë deri në fund brenda mandatit tonë të parë qeverisës”, ka shkruar Shehu.
E ndaj këtij njoftimi të Shehut ka reaguar ish-kandiati i VV’së për të parin e Junik,i cilia e ka mohuar një marrëveshje të tillë, por që janë në bisedime.
Postimi i plotë i Besart Tofaj të VV’së Junik:
“Të dashur qytetarë të Junikut,
Me autorizimin e koordinatorit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe grupit punues në Junik, sot pata një takim me përfaqësuesit e subjektit politik të LDK-së dega në Junik.
Në këtë takim u shpreh vullneti për bashkëpunim në balotazh. Pra, për një marrëveshje të mundshme në raundin e dytë të garës për kryetar komune.
Sigurisht që implementimi e formalizimi i kësaj marrëveshje do të marrë kahje vetëm pas vlerësimit e miratimit nga organet qëndrore vendimmarrëse të subjektit tonë politik.
Juniku meriton ndryshimin!”
Ndryshe, VV ka dalë e treta në Junik dhe mund të luaj rol në balotazhin e 14 nëntorit, ku në garë janë LDK dhe AAK./gazetametro.net