Ne që e mbajmë mend LDK-në që nga themelimi kemi një përvojë krejt tjetër nga ajo që tentohet të shitet sot.
Shkruan: Sali Rexhaj
1. Epoka Rugova: “demokraci pa kundërkandidat”
Sa ishte gjallë Ibrahim Rugova, ai nuk pati kurrë kundërkandidat. Jo sepse LDK ishte model demokracie, por sepse autoriteti i tij ishte absolut.
Në Kuvendin e Dytë Zgjedhor në vitin 1994 pati një tentativë puçi, të cilën Rugova e neutralizoi duke shkelur statutin dhe rezultatin e votave të delegatëve. Ai riktheu në Kryesi Aganin & Co të cilët klani puçist, në krye me Hydajet Hysenin, i kishte rrëzuar.
Në Kuvendin e vitit 1998 u debua Hydajet Hyseni me shokë dhe Rugova solli në Kryesi kryetarët e degëve, kryesisht figura të reja si Luta, Haraqia, Ferati, Zharku, me arsyetimin se LDK është parti e anëtarësisë.
Pra, edhe në kulmin e legjitimitetit moral të Rugovës, vendimmarrja nuk ishte demokratike në kuptimin formal, por e centralizuar rreth figurës së tij.
2. Pas Rugovës: Kuvendi i karrigave dhe ndarja historike
Me vdekjen e Rugovës ndodhi ajo që sot quhet “Kuvendi i karrigave”, ku delegatët u rrahën fizikisht dhe partia u nda në dy pjesë.
Nexhat Daci arriti atë që Serbia nuk e arriti për dy dekada: e ndau LDK-në nga brenda.
Ky ishte momenti kur u shemb miti i unitetit dhe u pa qartë se struktura e partisë nuk kishte as kulturë demokratike, as mekanizma institucionalë për menaxhimin e konflikteve.
3. Isa Mustafa dhe tradhtia e brendshme
Në Kuvendin pasues fitoi Isa Mustafa, por Fatmir Sejdiu u ndje i tradhtuar nga njeriu që vetë e kishte futur në politikë.
Pastaj Isa Mustafa u rrëzua nga grupi i Lumir Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit – i njëjti grup që e uli LDK-në në 13%, por e shiti këtë si “vendosje standardesh demokratike”.
Standardi ishte: kush dështon, largohet automatikisht.
4. Lumir Abdixhiku dhe “votëbesimi për dështim”
Kur vetë Lumir Abdixhiku dështoi, jo vetëm që nuk e respektoi standardin që kishte vendosur vetë, por shpiku një risi:
votëbesim për dështim.
Një absurd politik.
Para dy vitesh, po ky Kuvend, në po këtë përbërje, e kishte zgjedhur me 100%.
Sot, 45% i dolën kundër.
Kjo nuk është votëbesim.
Kjo është humbje legjitimiteti e kamufluar proceduralisht.
5. Problemi themelor: LDK nuk ka lindur si parti demokratike as si parti klasike pluraliste.
Ajo është produkt i shkrirjes së:
• Lidhjes Komuniste të Kosovës
• Lidhjes Socialiste të Kosovës organizata që përfshinin praktikisht të gjithë qytetarët madhorë.
Pra, LDK është parti e dalë nga sistemi njëpartiak, jo nga kultura pluraliste.
Emrin “Demokratike” e mban për marketing politik, jo për realitet organizativ.
Përfundim
LDK është ndoshta partia e fundit në Evropë që mund të pretendojë seriozisht se është demokratike në kuptimin modern.
Rugova ishte demokrat në vlera personale, por kurrë nuk pati kundërkandidat.
Pas tij LDK u shndërrua në:
• arenë klanesh,
• konflikt personalitetesh,
• dhe procedura formale pa legjitimitet real.
Do të duhen shumë vite që LDK të bëhet vërtet parti demokratike, nëse nuk shuhet më parë, si shumë parti të tjera bashkëmoshatare të saj.