Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka njoftuar se në koordinim me Departamentin Shëndetësorë të Burgjeve dhe bazuar në vlerësimin e gjendjes së pandemisë COVID-19, nga data 21 qershor do të lehtësojë disa nga masat brenda burgjeve, shkruan Gazeta Metro.
Me anë të një njoftimi për media SHKK, ka njoftuar për disa lehtësime që kanë bërë për të burgosurit.
Më poshtë i keni masat e reja:
Numri i vizitorëve për një të burgosur do të lejohet sipas rregullave për rendin shtëpiak, ndërsa maskat do të vazhdojnë të mbeten në fuqi gjatë vizitave;
Karantina hiqet në të gjitha institucionet korrektuese, i burgosurit mund të veçohet nga të tjerët vetëm atëherë kur mjeku konstaton se i njëjti ka simptoma të Covid 19 apo ndonjë arsye tjetër shëndetësore;
Në institucionin e tipit të hapur lejohen të dënuarit që të punojnë jashtë institucioneve korrektuese sipas Udhëzimit Administrativ MD-NR 02/2019;
Sistemi i komunikimit virtual Skype do të përdoret vetëm për rastet kur një i burgosur nuk ka vizita apo është shtetas i huaj dhe nuk mund të vizitohet nga familja.
Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës është theksuar se do të vazhdohet bashkërendimi me institucionet relevante të Kosovës si dhe do të mbajë të informuar publikun lidhur me hapat e tjerë në vazhdim. /gazetametro.net