Sot me datë 29 tetor 2020, te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, salla «Evropa», prej orës 11:00 – 12:30 është mbajtur takimi letrar si një pikëtajun mes letërsisë franceze dhe asaj shqiptare, përcjell Gazeta Metro.
Në kuadrin e muajit të leximit, me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, UT, është organizuar një takim letrar i konceptuar si një ndalesë dhe pikëtakimi mes letërsisë frënge dhe asaj shqiptare.
Ky aktivitet synoi të promovojë punën dhe veprën e deritanishme të autorëve, përkthyesve dhe botuesve për afrimin mes gjuhë-kulturave, përkatësisht asaj franceze dhe shqiptare. Gjithashtu është synuar të nxirret në pah roli i patjetërsueshëm i letërsisë (me gjithë aktorët e saj të drejtpërdrejtë: autor/përkthyes/botues/studiues) si urë komunikimi mes kombeve, aq e nevojshme në këtë periudhë distancimi, sa social aq edhe fizik.
Rrugëtime personale dhe profesionale, sfida dhe përsiatje të autorëve të cilët kanë arritur të depërtojnë në edhe në letërsinë e botuar në frëngjishte përmes përkthimit; ndjesi, debate të brendshme, ide dhe reflektime të përkthyesve që me punën e tyre e kanë sjellë më pranë kulturën e Tjetrit duke e bërë të mos ndihet më si e huaj por të jetë pjesë e qenësishme e vazhdimësisë së krijimtarisë në gjuhën shqipe; vëzhgime, analiza, qasje e veçori të studiuesve të kësaj letërsie në lidhje me ndërndikimet letraro-kulturore që përçon ajo në kulturat respektive.
Si kanë arritur autorët vendas të depërtojnë në letërsinë e botuar nga gjuha e huaj (shqipe) në gjuhën frënge ? Si ka qenë rrugëtimi i veprave të tyre drejt Francës? Botime të mëparshme në frëngjishte, të tilla si ajo e Kadaresë, a kanë qenë për ta pengesë apo ndihmesë? Çfarë shtyse kanë pasur ata për t’u botuar në gjuhën e Molierit dhe Modiano-s? Si fillon krijimtaria e një autori dhe përkthyesi dhe si zgjidhet ngërçi i faqes së parë të bardhë për të shkuar drej pikës [.] finale? Në një letërsi të konceptuar si universale, a shkruajmë për një publik të caktuar me vizione të ndara sipas gjuhë/kulturave në të cilat janë mbrujtur?
Si ka arritur përkthyesi të jetë transparent duke lënë kulturën e Tjetrit të vijë lirisht tek kultura pritëse por pa prishur statu quo-në e saj ? Çfarë ndodh brenda « kutisë së zezë » së përkthyesit dhe si i shpëton ai tiranisë së formës së tekstit burimor ? Sa dhe si ndikon madhështia e autorit të gjuhës burimore në pritjen që i bëhet [ përkthimit të] veprës nga lexuesi në gjuhën shqipe ? Çfarë veçorish paraqet letërsia franceze dhe ajo e përkthyer në gjuhën shqipe ? Ku ndodhet ajo në raport me letërsitë e tjera të përkthyera në shqipe? A komunikon mirë shqipja letrare?
Këto janë disa prej pyetjeve rreth të cilave është përqëndruar takimi letrar, në të cilat janë përgjigjur të ftuarit./ QKLL/ GazetaMetro