Loading…

Vizat mund të vonohen deri më 2017

  • 24/11/2016 | 18:29

Vizat mund të vonohen deri më 2017

Institucionet qendrore po e rrezikojnë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën edhe për vitin 2017, thonë njohësit e integrimeve evropiane.


Ata konsiderojnë se Kuvendi dhe Qeveria, po dështojnë në përmbushjen e një prej kritereve substanciale të përcaktuara nga Bashkimi Evropian në procesin e liberalizimit të vizave, siç është rasti me ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit më Malin e Zi.

Profesor i së Drejtës Evropiane, Avni Mazreku, tha për Radion Evropa e Lirë se autoritetet nuk kanë treguar vullnet politik në përmbushjen e kritereve reale për liberalizim të vizave.

Sipas tij, përderisa qasja e Qeverisë së Kosovës dhe qasja e vendimmarrësve në Kosovë është krejt deklarative, askush nuk mund të ndihet komod se në vitin 2017, do të ketë liberalizim.

Nga ana tjetër, Arben Gashi, deputet i Kuvendit të Kosovës, anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane, tha për Radion Evropa e Lirë se për të ecur tutje drejt liberalizimit të vizave duhet të ketë një konsensus politike për çështjet të cilat kanë mbetur pezull e të cilat janë të rëndësishëm në këtë proces.

Ai mendon se nëse arrihet një konsensus brenda skenës politike, çështja e liberalizmit mund të trajtohet në instancat kompetente.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka pranuar se aktualisht koalicioni qeverisës nuk i ka votat e mjaftueshme për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Sa më shumë që ka probleme të brendshme politike në Kosovë dhe mos angazhim të duhur, çështja e liberalizimit të vizave do të vonojë, thotë profesor Emrush Ujkani, njohësi i çështjeve integruese evropiane.

Njohësit e integrimeve evropian kanë kritikuar drejtuesit e Qeverisë së Kosovës se nuk po merren siç duhet dhe seriozisht me çështjen e liberalizmit te vizave. Ata thanë po ashtu se aktualisht Kosova nuk ka as ministër të Integrimeve Evropiane.

Lidhur me ketë çështje, kritika bën edhe deputeti Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Është fatkeqësi që ka më shumë se dy muaj që Kosova nuk ka ministër të Integrimeve Evropiane i cili do të duhej që të merrej në mënyrë konstante me liberalizimin e vizave dhe me çështje tjera të cilat kanë të bëjnë me interesat e Kosovës në Bashkimin Evropian”, tha Gashi.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë