Loading…

Ligji është vetëm hapi i parë

  • Nga

  • PETRIT SELIMI

  • 05/10/2026 | 15:09

Ligji është vetëm hapi i parë

Nuk kam shpresë që ujku i vjetër e harron zakonin e vjetër, përkundër qimeve të reja me të cilat është zbukuruar këto vitet e fundit të jetesës në Kullën e Fildishtë të “Republikës së tretë”.


Shkruan Petrit Selimi

Kuvendi sot e miratoi Ligjin për Specialen në lexim të parë. Mbetet të shihet se a do të kalojë edhe në lexim të dytë, që ligji të konsiderohet si fakt i ri ligjor që ndryshon disa elemente të rëndësishme të veprimit të Dhomave të Posaçme.

Fillimisht të themi se çka nuk bën ligji i ri: Nuk e ndryshon apo anulon verdiktin fillestar të fajësisë së shpallur nga gjyqtari Smith dhe dënimin prej 81 vitesh për katër bashkëthemeluesit e UÇK-së. As nuk mohon viktimat dhe statusin e tyre në çfarëdo procedure gjyqësore. Por Ligji megjithatë sjell ca risi që janë diskutuar edhe më herët nga profesionistët.

1. Ndryshimet

a. Fillimisht, Ligji i ri kërkon zbatim të menjëhershëm për kufirin 15-vjeçar të dënimit. Kjo nuk është temë e re. Tash e disa vite, avokatët mbrojtës të të dënuarve nga Gjykata Speciale kanë insistuar në principin e lex severis, të bazuar edhe në principet thelbësore të konfirmuara nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut se “Nuk mund të shqiptohet një dënim më i rëndë se ai që ishte i zbatueshëm në kohën kur është kryer vepra penale.” Derisa ka paralelizma të ligjeve ekzistuese më 1999, Ligji më i favorshëm jugosllav valid në kohën e krimeve të pretenduara ka dhënë dënim maksimal prej 15 vjetësh, dhe një përdorim i principit lex severior dhe lex mitior, që një ligj i mëvonshëm nuk mundet m’u përdor për dënime më të rënda se ato që parashiheshin në kohën kur krimi është kryer, qartësisht i kufizon dënimet e Speciales në 15 vjet burg – përkundër kornizës së mëvonshme të Speciales që parasheh dënime më të gjata – deri të përjetshme – për krimet që mbulon mandati i saj fillestar.

b. Një element tjetër është kërkesa obligative e Ligjit të ri, që vuajtja e dënimit pas verdiktit final të ekzekutohet në Kosovë. Për burgimin në Kosovë ka një nuancë ekzistuese: korniza e mëhershme lejon paraburgimin dhe vuajtjen e dënimit jashtë vendit; nuk thotë thjesht se çdo dënim detyrimisht duhet të vuhet jashtë Kosovës. Duke marrë parasysh që asnjë shtet deri më tani nuk është vullnetarizuar t’i pranojë të dënuarit si Sali Mustafa Cali, të cilët kanë mbetur rrjedhimisht ende në Hagë. Nuk do të duhej të ishte problem për askënd që dënimi të kryhet në Kosovë, pas procedurave të apelit në të gjitha instancat.

c. Por çështja kryesore do të dalë me kërkesën e Ligjit që, pas apelit, mjetet e mëtejshme juridike kalojnë në Supremen në Prishtinë. Deputeti Përparim Gruda, një nga ekspertët kryesorë kushtetues nga PDK, ka deklaruar se vetë Kushtetuta nën nenin 24 “e lidh ushtrimin e këtij juridiksioni me ligjin e veçantë.” Që të jemi të saktë, amendamenti nr. 24 i Kushtetutës përcakton: “Një Dhomë e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, e përbërë nga tre (3) gjyqtarë ndërkombëtarë të emëruar shtesë krahas gjyqtarëve të referuar sipas Nenit 114 (1), do të vendosë ekskluzivisht mbi referimet kushtetuese sipas Nenit 113 të Kushtetutës në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në përputhje me ligjin e veçantë.”

Pra insistimi i Kuvendit është se ky Ligj i veçantë tashmë është fakt i ri i aprovuar nga Kuvendi i një Republike sovrane dhe se Specialja nuk ka ingerenca mbi ato të përcaktuara me kornizë të re ligjore. Vështirë se kjo pikë do të kalojë e pafiduar nga Specialja, e cila ndoshta do të thirret në Marrëveshjen ndërkombëtare të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës që mbisundon ligjet e Kosovës. Deputeti Gruda, që prezantoi sot Ligjin në Kuvend, pohoi se: “Ky ligj nuk prish asnjë detyrim ndërkombëtar që Kosova ka marrë përmes amendamentit kushtetues për themelimin e Dhomave të Specializuara, marrëveshjes që kemi me Bashkimin Evropian, letërkëmbimit të ratifikuar në Kuvend dhe as marrëveshjes që kemi me Holandën”.

2. Reagimet

Derisa ambasadat perëndimore që kanë kushtëzuar (që mos të themi “shantazhuar”) Kosovën me themelimin e Dhomave të Posaçme, ende nuk kanë dhënë opinion rreth Ligjit, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë publikisht se: “Ndryshimi i përket Kosovës të vendosë. Me rëndësi të garantohet pavarësia e gjyqësorit dhe, në këtë kuadër të pavarësisë, i përket Kosovës të vendosë se çfarë të bëjë ose jo.”

Reagimi kryesor duhet pritur nga vetë Dhomat e Posaçme, të cilat, sipas eksperiencës së mëparshme, kanë përdorur Dhomën e Posaçme të Gjykatës Kushtetuese për të penguar çfarëdo ngushtimi apo ndryshimi të mandatit fillestar dhe kornizës ligjore, të cilën e konsideron si ingerencë për të cilën negocion jo me Kuvendin (institucionin që i dha jetë), por drejtpërdrejt me Komisionin Evropian. Duket e pabesueshme që Ligji të kalojë dhe të pranohet si realitet i ri i mirëqenë nga Specialja. Kjo gjykatë mundet të vendosë të heshtë deri pas apelit, kur konsekuencat e Ligjit të jenë të rëndësishme, dhe vetëm pas Apelit t’i kundërshtojë dispozitat e Ligjit. Mundet edhe të reagojë menjëherë sipas hapave të parashkruar në procedurat interne.

Por skenari më i mundshëm është që Prishtina dhe Specialja të marrin qëndrime të kundërta mbi kompetencën dhe të krijohet konflikt institucional që teksti i neneve relevante kushtetuese nuk e zgjidh vetvetiu.

Atëherë, do të jetë shumë me rëndësi që Kosova të ketë një marrëveshje me BE-në për mënyrën e përfundimit, transferimit dhe mbikëqyrjes së procedurave, e zbatuar përmes ndryshimeve juridikisht të vlefshme, do të kishte shumë më tepër peshë praktike. Kjo marrëveshje duhet të arrihet urgjentisht në javët dhe muajt në vijim. Idealja do të ishte që Kuvendi të krijojë Komision ad-hoc për zbatimin e këtij Ligji, ku Qeveria do të raportonte për hapat që po i ndërmerr diplomatikisht, politikisht dhe juridikisht që vendimi i një Kuvendi sovran të jetë i pranueshëm nga Komisioni Evropian dhe Specialja.

Qeveria po ashtu do të duhet të ndajë buxhet shtesë për pasurimin e burimeve njerëzore të ekipeve mbrojtëse me specialistë të apelit, por edhe me lobim sidomos në SHBA, që do të sqaronte qëndrimin e Kosovës dhe do ta thellonte mirëkuptimin e kërkesave të Kosovës në Uashington dhe Bruksel.

Do të duhej të kishte vullnet pozitë-opozitë edhe për hapat që Kosova duhet t’i ndërmarrë për aderim të Kosovës në Këshillin e Evropës në seancën e radhës në maj 2027. Nëse kushtet e Francës dhe Gjermanisë janë të njëjta, kjo kërkon zbatimin e kërkesës nga Marrëveshja e Ohrit e aprovuar nga vetë Kurti, që kërkon dërgimin e statutit të Asociacionit për vlerësim në Kushtetuese, hap që gjer më tani është refuzuar nga Qeveria e Kosovës. Ka gjasa që ky kusht nga Franca-Gjermania të zbutet nëse ka dialog të mirëfilltë, por ka gjasa edhe të vështirësohet nëse partia e Le Pen fiton zgjedhjet presidenciale në prill 2027. Faktori kohë këtu është esencial, gjë që lë pak shpresë për veprim nga Kosova, qeveria e të cilës nuk është fort e njohur për hapa të ndërmarrë me kohë dhe koordinim të thellë diplomatik me aleatë.

Pra, Ligji (nëse aprovohet në lexim të dytë) është vetëm hapi i parë, që medoemos duhet të përcillet me hapa diplomatikë, bashkëpunim ndër-partiak, rritje të buxhetit për të dënuarit dhe koordinim ndër-institucional dhe ndërkombëtar.

Këso lloj koordinimi Kosova ka përjetuar vetëm në procesin e Vjenës të Presidentit Marti Ahtisaari. Kurti asokohe ishte kundërshtar i flaktë dhe i dhunshëm i çfarëdo bashkëpunimi për realizimin e Ahtisaarit, dhe ai dhe vetëm ai është personi që ka ingerencat dhe potencën momentale në Kuvend dhe Qeveri që t’i prijë këtij bashkëpunimi.

Nuk kam shpresë që ujku i vjetër e harron zakonin e vjetër, përkundër qimeve të reja me të cilat është zbukuruar këto vitet e fundit të jetesës në Kullën e Fildishtë të “Republikës së tretë”.

Qofsha i gabuar.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë