Në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka thënë se në një vend ku korrupsioni luftohet në mënyrë deklarative, atëherë ai nuk mund të jetë garantues i të drejtave të njeriut, shkruan Gazeta Metro.
Shala për Metron ka thënë se ligji është ai i cili po i vret të drejtat e njeriut në Kosovë.
“Faktikisht ligji po i vranë të drejtat e njeriut. Ligji është ai që edhe i shkel edhe i mbron, por edhe që i sanksionon ato”, ka thënë Shala.
Sipas tij, qytetarët janë përgjegjës që fëmijët punojnë punë të ndaluara, pastaj që personat me aftësi të kufizuara nuk mund t’i gëzojnë të drejtat e tyre.
Ai për Metro tha se qeveria ka për obligim t’i zbatojë ligjet që i miraton.
“Qeveria e ka për obligim që t’i zbatojë vetë ato ligje që i ka miratuar, dhe ka për obligim që të mos i marrë si barrë ligjet të cilat janë të pazbatueshme”, ka shtuar Shala.
Ai gjithashtu ka thënë se situata politike, ekonomike dhe sociale janë shkaktarë pse ligjet nuk zbatohen si duhet.
“Qeveria çdo ligj e harmonizon me standarde evropiane, që është mirë, por në Kosovë ato ligje janë të pazbatueshme përshkak të situatave ekonomike, politike e sociale”, ka shtuar Shala.
Shala ka përmendur edhe faktin që organizatat për të Drejtat e Njeriut dhe as KMLDNJ nuk mund t’i mbrojnë të drejtat e njeriut, ato vetëm kanë për detyrë të identifikojnë shkeljet dhe t’i adresojnë ato shkelje ku duhet.
Për fund, Shala ka potencuar se papunësia dhe puna e fëmijëve të mitur, është e papranueshme.
Ndryshe, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka organizuar një aktivitet, në të cilën do të trajtohen tema si dhuna në shkolla, Segregimi në baza racore, qasja në edukim për personat me aftësi të kufizuara dhe disa tema tjera që lidhen po me këtë ditë./gazetametro.net/