Fatmir Limaj, komandant “Çeliku” i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është e mundur të ulet për të dytën herë në bankën e të pandehurve para një trupi gjykues ndërkombëtar për krime lufte në Hagë.
Vetëm një kërkesë nga Zyra e Prokurorit Special në Holandë i duhet institucioneve të drejtësisë kosovare që ta dorëzojnë në Gjykatën Speciale për gjykim lëndën për krime lufte që rëndon mbi ish-deputetin e PDK-së, Fatmir Limaj.
Nga 28 tetori i këtij viti, mbi Limajn rëndojnë akuzat për “krim të luftës kundër popullatës civile”.
Deputeti aktual në Kuvendin e Kosovës dhe kryetari i partisë opozitare “Nisma”, është akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për krime në dy raste: vrasje të dy civilëve shqiptarë Ramiz Hoxhës nga fshati Bellanicë si dhe Selman Binishi nga fshati Banjë të komunës së Malishevës.
Ai thuhet se si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarr masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Hoxhës dhe Binishit.
Zyrtarë të kësaj prokurorie i kanë pohuar Kosovo 2.0 se do t’i ofrojnë bashkëpunim Zyrës së Prokurorit të Specializuar, përfshirë edhe në kërkesën eventuale për dorëzimin e lëndës ndaj Fatmir Limajt për krime lufte.
Sipas nenit 10, paragrafi 2 të këtij ligji, “në çdo fazë të hetimeve ose procedurave, dhomat e specializuara ose prokurori i specializuar mund të urdhërojnë transferimin e procedurës brenda juridiksionit të tyre nga ndonjë prokuror tjetër ose ndonjë gjykatë tjetër [përveç Gjykatës Kushtetuese] në territorin e Kosovës tek Dhomat e Specializuara dhe Prokurori i Specializuar”. Gjykata Speciale, ligjërisht njihet si “Dhomat e Specializuara”, mbase bëhet fjalë për një organ që funksionon në bazë të juridiksionit të Kosovë.
Më tej thuhet se prokurori i shtetit ose gjykata i përcjellin dhomave të specializuara çdo shkresë dhe të gjitha shkresat që i përkasin lëndës së kërkuar. Ndërsa, urdhri i Dhomave të Specializuara për transferim është përfundimtar dhe detyrues.
Për njohës të ligjit, si juristi Kujtim Kërveshi, ky nen përcakton qartë se bartja e çfarëdolloj lënde në cilëndo procedurë do të jetë e mundshme, përveç nëse lënda trajtohet pranë Gjykatës Kushtetuese.
“Dhomat e Specializuara ose Prokurori i Specializuar sipas diskrecionit mund të urdhërojnë transferimin e procedurës. Për sa i përket detyrimit, institucionet e Kosovës kanë detyrim që shkresat që i përkasin lëndës në fjalë t’i bartin në Dhomat e Specializuara dhe te Prokurori i Specializuar, ndërsa asistenca gjyqësore specifikohet gjithashtu përmes nenin 53”, ka thënë Kërveshi.
Neni 53, ndërkaq, përcakton qartë se të gjitha subjektet dhe personat në Kosovë bashkëpunojnë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe pa vonesë e respektojnë çdo kërkesë për asistencë ose urdhrat apo vendimet e dhëna nga Dhomat e Specializuara apo Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Megjithëse Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar thirren si organe që punojnë nën juridiksionin e Kosovës, Kërveshi vlerëson se ato përbëjnë një strukturë mbi strukturat e rregullta gjyqësore dhe prokuroriale të Kosovës. Të njëjtat nuk i përgjigjen organeve më të larta të gjyqësisë dhe prokurorisë në Kosovë. Për më tepër lëshojnë urdhra detyrues për to, sikurse që do të mund të ndodhë për bartjen e lëndës nëse kërkohet.
Limaj akuzon drejtësinë për “përndjekjen” e tij
Limaj e kishte quajtur si të pabazë akuzimin e tij. Ai u shpreh i bindur se aktakuza ka qëllim përndjekjen e tij. “Prokuroria e Kosovës sot ka dalë me një aktakuzë kundër meje për një rast të cilin unë jam hetuar së paku tri herë. Dy herë nga UNMIK-u dhe një herë nga Tribunali i Hagës”, ka deklaruar ai me 28 tetor 2016, kur Prokuroria e shtetit njoftoi publikun për ngritjen e aktakuzës ndaj tij.
“Në të tri rastet për mungesë të provave hetimet kundër meje janë mbyllur dhe kjo dëshmohet edhe nga shkresat hetimore të lëndës të cilat sot i mora nga prokuroria”, ka thënë Limaj. “Këtu është duke u keqpërdorur ky rast në mënyrë që të vazhdojë përndjekja kundër meje. Kjo besoj tanimë për të gjithë është e qartë”.
Reagimet e deputetit Limaj, komunës së Malishevës ku ai kishte shërbyer si komandant i UÇK-së, por edhe partisë së tij “Nisma” për ngritjen e aktakuzës për krime lufte, kishin nxitur kundër-reagimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) që përmes një komunikate për shtyp të kërkojë që të mos sulmohen prokurorët dhe institucionet e sundimit të ligjit gjatë kryerjes së detyrës së tyre. KPK i kishte cilësuar reagimet ndaj këtij rasti si jashtëzakonisht të dëmshme për sundimin e ligjit në vend e sidomos në kohën kur prokurorë vendorë kanë marrë mbi vete kompetenca të plota për t’i trajtuar krimet e luftës. /Kosovo2.0