Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit për financimin e tri projekteve infrastrukturore në komunën e Lipjanit
Me këtë Memorandum do të financohen rikonstruktimi i rrugës Magurë – Blinajë në vlerë 500,000 €, ndërtimi i rrugës Vojnovc (Shtime) – Topliqan (Lipjan) në vlerë prej 250,000 € dhe riasfaltimi i rrugës Llugaxhi – Gadime në vlerë prej 150,000 €.
Ministria e Infrastrukturës obligohet të sigurojë mjetet financiare për realizimin e projekteve, ndërsa Komuna e Lipjanit obligohet të sigurojë kushtet e nevojshme për realizimin e projekteve për operatorët ekonomikë, të kryejë procedurat e tenderimit të këtyre projekteve, të caktojë komisionin e vlerësimit, projekt-menaxherin, si dhe komisionin për inspektimin final të punimeve, në të cilin do të marrë pjesë një anëtar i MI-së, njofton ministria, transmeton gazetametro.net.
Komuna obligohet që të sigurojë kushtet e nevojshme, që projekti të realizohet pa pengesa brenda afatit të caktuar, në përputhje me ndarjet buxhetore dhe me kualitet të lartë. /gazetametro.net.