Loading…

‘Liria e shtypit në rrezik’ – RSF paralajmëron Kurtin: Media po gërryhet nën qeverinë tuaj

  • 08/04/2026 | 16:56

‘Liria e shtypit në rrezik’ – RSF paralajmëron Kurtin: Media po gërryhet nën qeverinë tuaj

Reporterët pa Kufij (RSF), së bashku me një grup të gjerë organizatash ndërkombëtare për mbrojtjen e mediave dhe gazetarëve, kanë bërë thirrje të hapur ndaj Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, për të ndaluar çdo rrezik të mëtejshëm ndaj lirisë së mediave, transmeton Gazeta Metro.


Sipas reagimit të përbashkët, vendi po përballet me rënie të lirisë së shtypit për shkak të presionit politik mbi median publike, zhvillimeve shqetësuese ligjore dhe sulmeve verbale ndaj gazetarëve nga politikanët.

“Reporterët pa Kufij (RSF) dhe partnerët e saj i kanë bërë thirrje Kryeministrit të Kosovës të krijojë një grup pune për të adresuar çështjet e lirisë së shtypit dhe për t’u përgatitur për zbatimin e Marrëveshjes Evropiane për Lirinë e Medias (EMFA), ndërsa vendi kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE)”, theksohet në njoftim.

Organizatat vërejnë se, ndonëse Kosova ka një peizazh të larmishëm mediatik dhe nivel të ulët të dhunës fizike, disa standarde janë dobësuar nga Lëvizja Vetëvendosje si parti në pushtet.

“Pas takimeve me dhjetëra gazetarë dhe media në Kosovë më 24 mars, organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve – përfshirë Reporterët pa Kufij (RSF) – diskutuan gjendjen e lirisë së shtypit me Kryeministrin Albin Kurti dhe këshilltarët e tij. Ndërsa Kosova ka një peizazh të larmishëm mediatik, një nivel të ulët të dhunës fizike ndaj gazetarëve dhe një kornizë ligjore përgjithësisht në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, disa standarde janë dobësuar nga partia në pushtet, Vetëvendosje”, thuhet në reagim.

Organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias kanë bërë thirrje të qartë për qeverinë e Kosovës që të ndërmarrë masa konkrete për të forcuar pavarësinë dhe sigurinë e gazetarëve në vend.

“Na duhet një sinjal i fortë nga qeveria në mbështetje të një peizazhi mediatik të lirë, të pavarur dhe të larmishëm. Ngritja e një grupi pune të dedikuar i përbërë nga palë të interesuara lokale dhe duke u mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare do të ishte një hap i parë. Rregullorja Evropiane për Lirinë e Medias (EMFA), të cilën Kosova do të duhet ta zbatojë si shtet kandidat për në BE, adreson problemet kryesore të vendit: mungesën e pavarësisë për transmetuesin publik, mbrojtjet e dobëta për burimet gazetareske dhe transparencën e pamjaftueshme në lidhje me pronësinë dhe financimin e medias. Kjo është një thirrje për veprim të menjëhershëm”, deklaroi Pavol Salzai nga RFE./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë