Loading…

Lirohet nga paraburgimi i akuzuari për drogë

  • 06/04/2017 | 09:34

Lirohet nga paraburgimi i akuzuari për drogë

Pas një kohe të gjatë në paraburgim është liruar nga kjo masë sigurie i akuzuari për narkotikë Nazim Fanaj.


Pas pranimit të fajësisë, i akuzuari Nazim Fanaj u lirua nga paraburgimi, duke iu caktuar masa për paraqitjen në stacionin policor në Prizren.

Në këtë gjykim, Nazim Fanaj, Arsim Fazliu dhe Naser Miftari akuzohen që me bashkëpunim kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Në seancën e sotme, Fanaj i cili gjendej në paraburgim që nga nëntori i vitit 2015, e pranoi fajësinë, ndërsa dy të akuzuarit e tjerë Fazliu dhe Miftari u deklaruan të pafajshëm për veprat penale për të cilat ngarkohen.

Avokati i të akuzuarit Fanaj, Arsim Bilalli, i propozoi trupit gjykues që të mbrojturit të tij t’i hiqet masa e paraburgimit dhe të mbrohet në liri si rezultat i pranimit të fajësisë dhe pendesës së thellë.

Këtë propozim prokurorja e rastit, Javorka Prlinçeviq e konsideroi si të bazuar.

Si rezultat, trupi gjykues mori aktvendim që Fanajt t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe atij kjo masë t’i zëvendësohet me paraqitje në stacionin policor.

Më tutje, prokurorja Prlinçeviq bëri të ditur provat e propozuara në aktakuzë, të cilat do t’i paraqesë në seancat e radhës.

Këto prova përfshijnë raportin e ekspertizës së forenzikës, raportin nga vendi I ngjarjes së bashku me fotografitë edhe CD, transkriptet e përgjimeve telefonike dhe mesazhet e shkruara në mes të të dyshuarve.

E për këto prova, avokati i Naset Miftarit, Selman Bogiqi, tha se nuk e formojnë figurën e veprës penale.

“Në këtë aktakuzë nuk ka dhënë asnjë fakt relevant apo provë se i mbrojturi im së bashku me Arsim Fazliun kanë kryer veprën penale”, shtoi Bogiqi.

Kësaj iu bashkëngjit edhe avokati Behar Ejupi, i cili tha se i mbrojturi i tij nuk i ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet, si dhe theksoi se “në fjalën hyrëse nuk dëgjuam nga prokuroria që do të kemi ndonjë provë e cila do të vërtetojë dyshimin e bazuar mirë”.

Ndërkaq seanca e radhës do të mbahet në muajin maj, ku edhe do të prezantohet CD-ja, provë të cilën do ta paraqesë prokurorja Prlinçeviq.

Në bazë të aktakuzës, Nazim Fanaj së bashku me Arsim Fazliun dhe Naser Miftarin pas një marrëveshjeje paraprake gjatë kohës që Nazim Fanaj ka qëndruar në restorantin “Univers” në Vërmicë, personi NN e ka vendosur sasinë e narkotikut në bagazhin e veturës së Fanajt, të cilin paraprakisht e kishte marrë në kompaninë Rent a Car “Prizreni”.

Më pas, sipas aktakuzës, Fanaj ishte nisur me makinë, së bashku me narkotikët në bagazh të cilët kishte pasur t’ia dorëzonte të akuzuarve Arsim Fazliut dhe Naser Miftarit të cilët po e prisnin në qytetin e Podujevës.

Pasi Fanaj kishte qenë në vëzhgim të policisë, ai u ndalua nga zyrtarët policorë në fshatin Sllatinë, ndërsa gjatë kontrollit të makinës kishin gjetur 16 paketime të mbushura me marijuanë me peshë rreth 15 gramë.

Nazim Fanaj akuzohet për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Ndërkaq, të akuzuarit Fazliu e Miftari, ngarkohen me veprën penale organizimi, drejtimi apo financimi i trafikimit të narkotikëve apo substancave psikotrope, pasi që prokuroria pretendon se kanë angazhuar Nazim Fanajn që ta bëjë transportimin e marijuanës.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë