Loading…

Literatura ‘jotradicionale’ islamike në burgjet e Kosovës

  • 11/03/2017 | 19:06

Literatura ‘jotradicionale’ islamike në burgjet e Kosovës

Burgjet nëpër të gjithë Kosovën, deri së voni kanë poseduar literaturë problematike dhe jo mjaftueshëm të njohur islame, e cila nuk ka reflektuar islamin tradicional që shekuj me radhë është praktikuar në Kosovë. Madje, një numër i imamëve ka mbajtur ligjërata nëpër burgje, pa dijeninë e Bashkësisë Islame të Kosovës. Kjo tashmë është ndërprerë, thonë përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës.


Disa dhjetëra njerëz në Kosovë janë duke vuajtur dënimin për terrorizëm. Institucionet e Kosovës dhe Bashkësia e Islame e Kosovës kanë nisur një bashkëpunimin për të penguar përhapjen e radikalizmit në burgje.

Zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë thonë se është vërejtur prania e radikalizmit në mesin e të burgosurve, të cilët po mbajnë dënimin për vepra penale krejtësisht tjera.

Gjatë vitit 2016, Gjykata Themelore në Prishtinë, me 10 aktgjykime ka dënuar 31 persona për terrorizëm, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zyrtarët e kësaj gjykate. Vetëm në muajin janar të këtij viti, janë dënuar edhe 7 persona me 18 vjet e gjysmë burg.

Dënime të tilla ka pasur edhe në komunat tjera, ndërkaq që ndër të dënuarit ka pasur edhe imamë. Në Ferizaj, në vitin 2016, është dënuar me 10 vjet burg ish-imami Zeqirja Qazimi, bashkë me të cilin edhe 6 persona tjerë me gjithsej 32 vjet burgim.

Në bazë të ligjit në fuqi, ai që organizon pjesëmarrjen në konfliktet e huaja, mbledhjen e fondeve për konfliktet e huaja dhe pjesëmarrjen në to, ose që bën thirrje për pjesëmarrje të tillë, mund të dënohet me burg nga 5 deri në 15 vjet.

Ministrja e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës, Dhurata Hoxha, ka theksuar se tashmë në burgje janë identifikuar personat e radikalizuar dhe se ata po mbikëqyren.

“Ne e kemi sfidën që jo vetëm të burgosurit që i kemi burgosur dhe i kemi dënuar, për veprën penale të terrorizmit, janë të radikalizuar, por kemi edhe të burgosur, të cilët për shkak të veprave të tjera të ndryshme penale kanë dënime afatgjata dhe kemi vërejtur një radikalizim të tyre”, ka theksuar ministrja Hoxha në Konferencën për angazhimin e shoqërisë civile kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Edhe ekipi i ICITAP-it amerikan ( Programi ndërkombëtar për ndihmë dhe stërvitje ndaj kriminalitetit), po punon për analizimin e gjendjes aktuale në burgje, pas së cilës do t’i bëj rekomandimet dhe strategjinë.

Në procesin e deradikalizimit në burgje është përfshirë edhe Bashkësia Islame e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë.

Fatmir Ilazi, ndihmës i imamit kryesor të Kosovës, Sabri Bajgora, në bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se zyrtarët e Bashkësisë Islame të Kosovës, në bazë të marrëveshjes me Ministrinë e Drejtësisë, kanë kryer kontrollin e literaturës në nëntë burgje në Kosovë, për shkak të dyshimeve të Shërbimit korrektues se në burgje është i pranishëm radikalizmi nga ana e personave të burgosur për shkak të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Sipas tij, delegacionin e Bashkësisë Islame e ka udhëhequr krye-imami Sabri Bajgora. Siç thotë Ilazi, janë hasur libra problematike mbi islamin, të cilat më parë ishin tërhequr nga bibliotekat e burgjeve.

“Librat që i kemi gjetur atje, kemi parë që edhe ata vet nuk e kanë ditur saktësisht prejardhjen e atyre librave, se si kanë përfunduar ato libra nëpër burgje. Kemi hasur në libra, të cilat kanë qenë pa autor fare, kemi hasur në libra të përkthyer në gjuhën shqipe nga gjuhët e ndryshme të botës, sidomos nga gjuha arabe, me grup autorësh. Do të thotë nuk kanë pasur emër”, thotë ai.

“Në pyetjen tonë se si kanë ardhur ato, dikush ka thënë se i kanë sjellë familjarët, dikush ka thënë se i ka sjellë ndonjë organizatë, ndonjë shoqatë, prej shoqatave që tashmë janë mbyllur nga shteti jonë, nga qeveria. Kemi parë që ajo literaturë nuk është adekuate për të qenë prezente në qendrat korrektuese dhe në të njëjtën kohë i kemi furnizuar me librat tonë, librat e Bashkësisë Islame, të cilat e shpjegojnë islamin tradicional që është sot e 600 vjet në Kosovë.”, thotë Ilazi.

Pas kontrollimit të librave, burgjet janë furnizuar me tituj të ri të shtëpisë botuese të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë