Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, priti në takim, zëvendës komandantin e KFOR-it, Gjeneral brigade József Szpisják, me bashkëpunëtorë, transmeton Gazeta Metro.
Pasi prezantoi të arriturat dhe sfidat që përcjellin qeverisjen lokale në komunën e Drenasit, kryetari Lladrovci vlerësoi lartë kontributin e KFOR-it në sigurinë dhe paqen në Kosovë e rajon si dhe bashkëpunimin me KFOR-in në sferat e interesit të përbashkët.
“Të arriturat tona, do të ishin të pamundura pa përkrahjen e NATO-s, BE-së dhe shteteve mike, jo vetëm në ngritjen dhe aftësimin e institucioneve tona, por edhe tejkalimin e situatave të ndjeshme, çfarë i patëm kohët e fundit në veri”, theksoi kryetari Lladrovci.
Gjeneral Brigade József Szpisják, e falënderoi kryetarin Lladrovci për bashkëpunim, duke theksuar se prioritet është siguria dhe paqja për të gjitha komunitetet.
“Ndër të tjera, kontribuojmë për mjedis të sigurt dhe të qetë, mbështesim zhvillimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike, multietnike dhe paqësore”, deklaroi Gjenerali Szpisják.
Në takim u tha se siguria dhe paqja në Kosovë është interes dhe prioritet i të gjithë qytetarëve, institucioneve vendore, NATO-s, BE-së dhe shteteve mike. /gazetametro.net