Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka sqaruar rreth takimit të së premtës në Drenas, në të cilën Lladrovci i kishte kërkuar Behgjet Pacollit të lironte sallën, pasiqë ishte vend i rezervuar për PDK’në.
Lladrovci, ka thënë se ambienti ishte i rezervuar më parë, në të cilën ky i fundit do të takohej me mesuesit e komunës së Drenasit.
“Duke u njohur me njëri-tjetrin, për të mos i lënë në pritje të gjatë arsimtarët, pas përshëndetjes me z. Pacolli, ia sqarova se aty e kishim paraparë takimin dhe se vendi ku ishin vendosur ishte hapësira e paraparë për t’u ulur. Normalisht, në mënyrën më miqësore insistova që t’ua rezervojë një hapësirë tjetër brenda lokalit, sepse ajo pjesë ishte e rezervuar më herët dhe si hapësirë ishte e planifikuar në përputhje me numrin e pjesëmarrësve.”
Lladrovci ka theksuar se miqësisht ka bisedur me Pacollin dhe se nuk e ka larguar apo injoruar atë .
“Z. Pacolli e pranoi miqësisht propozimin tim dhe në mënyrën më miqësore u përshëndetëm dhe vijuam me agjendën e paraparë. As nuk e kam larguar, as nuk e kam injoruar. Z. Pacolli është i mirëseardhur në Drenicë dhe në shtëpinë time, ashtu si çdo mik i imi dhe i shtëpisë sime,” ka thënë më tej Lladrovci.
“Në fotot e dërguara nga një qytetar dëshmohet e gjithë e vërteta e kësaj ngjarjeje, e cila më tej mori kahje tjetër dhe u deformua sipas interesave të ngushta politike të të tjerëve. Nuk është as në karakterin tim, as të familjes sime të dëbohet mysafiri. Kjo tendencë për ta tjetërsuar vlerën themelore të traditës sonë, në këtë rast kundër meje nga dashakeqës lokalë, nuk mund as ta zbehë personalitetin tim dhe nuk mund as ta zvogëlojë subjektin tim politik”, ka thënë Lladrovci./gazetametro.net